top of page

Një jetë për t’u kujtuar – Antoni Athanas, shqiptaro-amerikani që nuk harroi kurrë rrënjët

  • Writer: Korca Boom
    Korca Boom
  • Jul 28
  • 2 min read

Më 28 korrik 1911, në një cep të thjeshtë të Shqipërisë, në fshatin Trebickë të zonës së Vakëfeve të Korçës, lindi një djalosh që do të bëhej simbol i suksesit dhe krenarisë për të gjithë shqiptarët në diasporë – Antoni (Anthony) Athanas.


Në moshën katërvjeçare, ai u shpërngul në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke nisur një jetë të re me sakrifica dhe punë të ndershme. Nga rrugët e Bostonit ku shpërndante fruta, pastronte soba dhe shiste gazeta, ai nuk hoqi kurrë dorë nga ëndrra. Falë guximit, këmbënguljes dhe shpirtit të tij të palodhur, Athanas u ngjit drejt majave të industrisë së ushqimit, duke themeluar restorantin legjendar “Anthony’s Pier 4”.


Ky vend u bë jo vetëm një ikonë e kuzhinës amerikane, por edhe një pikë takimi për emra të mëdhenj të politikës, artit dhe diplomacisë. Në mesin e tyre ulen presidentë amerikanë, senatorë, artistë të njohur – por për Antoni Athanasin, krenaria më e madhe ishte mikpritja për çdo shqiptar që kalonte pragun e restorantit të tij.


Jashtë kuzhinës, Athanas ishte një patriot i përkushtuar. Ai mbështeti “Vatrën”, shkroi letra në mbrojtje të Kosovës dhe ngriti zërin për të drejtën shqiptare kudo që kishte mundësi. Ishte mik i Fan Nolit dhe u konsiderua udhëheqës shpirtëror për shumë shqiptarë në Amerikë, duke i mbajtur të lidhur me vendin e tyre të origjinës.


U nda nga jeta më 20 maj 2005, në moshën 93-vjeçare, por vepra e tij jeton. Ai është një nga ata njerëz që, edhe pse ndërroi kontinentin, nuk ndërroi kurrë zemrën.


John Kerry pati thënë: “Anthony jetoi ëndrrën amerikane dhe nuk harroi kurrë rrënjët e tij shqiptare.”Edward Kennedy shtoi: “Mirësia dhe bujaria e tij do të na mungojë të gjithëve.”

Figura e tij është një dëshmi e gjallë se suksesi nuk matet vetëm me pasuri, por me ndikimin pozitiv që lë pas në jetë dhe në zemrat e njerëzve.

“KORÇA BOOM”

ree


bottom of page