Përballë sfidës ndërkombëtare, Skënderbeu beson/ Do ta kalojmë edhe këtë pengesë!
- Sep 4, 2025
- 2 min read
Ekipi i Skënderbeut U-19 është në një fazë intensive përgatitore për sfidën e rëndësishme që do të zhvillojë në kompeticionet europiane, ku do të përballet me ekipin nga Andorra, Inter Club d’Escaldes. Trajnerët e ekipit, Edmir Osmanllari dhe Edi Çajku, shprehen me bindje të plotë se skuadra ka të gjitha mjetet për të arritur sukses dhe për të kaluar këtë tur me rezultat pozitiv.
Nga informatat e para të marra, Inter Club d’Escaldes është një skuadër e organizuar mirë dhe me futbollistë të përgatitur, shumica prej të cilëve janë pjesë e akademive të njohura ndërkombëtare.
Kjo natyrisht paraqet një sfidë të fortë për korçarët tanë, por jo edhe një pengesë të pakapërcyeshme. Trajnerët theksojnë se përgatitjet e ekipit kanë qenë të kujdesshme dhe me fokus maksimal, duke punuar intensivisht në aspektin teknik, taktik dhe psikologjik.
Edmir Osmanllari, trajneri kryesor, shprehet: “Jemi përballë një ekipi të fortë, por ne besojmë në potencialin dhe karakterin e djemve tanë. Janë të rinj të motivuar dhe të gatshëm për të dhënë maksimumin në fushë. Përgatitjet kanë qenë të përqendruara dhe me plan të qartë për t’i bërë ballë çdo sfide. Do të luftojmë për çdo top dhe besoj se do t’ia dalim.”
Nga ana tjetër, Edi Çajku shton: “Në futboll, besimi është çelësi i suksesit. Ne besojmë se punët tona të përditshme do të japin frytet e tyre në këtë ndeshje. E dimë se kundërshtari është i fortë dhe ka lojtarë me eksperiencë nga akademitë më të mira, por ne jemi të përgatitur dhe kemi ambicien të kalojmë më tej në këtë kompeticion. Ky është objektivi ynë kryesor.”
Futbolli në rangun europian për një ekip të moshave është një mundësi e jashtëzakonshme për lojtarët të tregojnë veten, të fitojnë eksperiencë dhe të sfidojnë vetveten në një arenë më të madhe. Për Skënderbeun U-19, kjo është edhe një mundësi për të shkruar një faqe të re suksesi për futbollin e Korçës dhe Shqipërisë.
Besimi i trajnerëve dhe i futbollistëve është i fortë, dhe kjo i jep ekipit një shtysë të madhe për të dhënë më të mirën në fushë. Me një punë të përkushtuar, strategji të mirëorganizuar dhe dëshirë për fitore, Skënderbeu U-19 synon të triumfojë dhe të vazhdojë rrugëtimin në kompeticionet europiane.
“KORÇA BOOM”
















