Përndoqi gazetaren prej më shumë se një vit, zbulohen mesazhet që mjeku i dërgonte: Jam burrë ideal për ty, dua të martohemi
- Korca Boom
- Oct 7
- 2 min read
Gazetarja Albana Bejko, e ftuar në “Goca dhe Gra”, ka rrëfyer për herë të parë historinë e saj me mjekun nga Kosova që e përndiqte intensivisht, Behar Kamberi.
Ajo tha se përndjekja ka ndodhur prej më shumë se një viti, deri sa ajo iu drejtua institucioneve dhe e denoncoi, gjë që çoi më pas në arrestimin e tij.
Albana ka shfaqur edhe mesazhet që ai i dërgonte, duke i thënë se ‘ishte burri i saj i ëndrrave’ dhe se ‘e donte shumë’ e donte të martohej me të.
“Një moment i frikshëm ishte kur në ambientet ku unë punoj, personi u afrua më kërkoi që të uleshim për kafe, në atë moment reagimi ishte instiktiv, i trembur, i thash ‘të lutem mu hiq qafe’. Kaluan 4 djem në atë moment, dhe kjo e trembi pak. Periudha intensive e përndjekjes ka qenë qershor i vitit të shkuar deri para pak ditësh, dhe unë më pas telefonave policinë”, tha ajo.
“Përshëndetje Alban nga Behari. Unë jam burrë ideal për ty. Jam doktor intelektual, gentleman, i bukur dhe i sinqertë. Ne të dy gjithnjë kemi komunikuar dhe do të komunikojmë mirë dhe shëndetshëm. Kam gjendje të mirë financiare dhe shëtis botën.
Këto janë tiparet që përmbush kështu që mos hezito më. Por eja martohemi dhe jetojmë së bashku në një banesë këtu në Prishtinë por edhe në Tiranë. Ku ti përsëris krejt gjërat ke me i pas dhe me i cu në vend, asgjë ska për të munguar.
Ti do vazhdosh të punosh si tani. Albanë më merr në konsideratë kur unë jam mashkull ideal që të bëj propozim për martesë. Pres reflektim nga ti”, ishte nga mesazhet që ai i dërgonte gazetares.
Ajo ka treguar të gjithë zanafillën e takimit me shqiptarin nga Kosova, e më pas kontaktin që ky i fundit i ka bërë në platforma të ndryshme sociale, përfshirë numrin personal.
“Unë kam qenë në një restorant. Më ka kërkuar të bëjë një foto me mua, e kam bërë me shumë dashamirësi. Që nga ai moment pashë një lloj tendence për t’u afruar, por ia lash faktit që jemi personazh publikë, janë gjëra që ndodhin. Kam marrë mesazhe edhe në numrin tim personal. Kam marrë telefonata, duke mos e ditur me kë kam të bëj, i kam kërkuar të më lërë të qetë sepse nuk kam pasur asnjë interes.
Kam pasur mesazhe opsesive, deluzionale, që sipas tij pretendohet se pas fotos e kishte projektuar jetën. Që prej 2020, kam marrë mesazhe nga ky person. Por takimi për së afërmi mendoj që e kanë bërë të ketë më pas reagime.
Nuk kam marrë asnjë dhuratë nga ai, ndryshe nga sa është folur, se u fol për një parfum. Duke parë që qëllimi është i sëmurë, nuk do pranoja asnjë dhuratë. Kam qenë e frikësuar, kam ndryshuar stilin e jetesës.
Kam pasur debat në prokurori për këtë pjesë. Kam marrë mesazhe, që janë agresive, jo nga përmbajtja, por kur them jo 1,2,3 herë, e ai vijonte. I kam thënë që nëse më bezdis do të të denoncoj në polici”, tha Albana Bejko.
“KORÇA BOOM”





















