Pas largimit nga stoli i kategorisë së parë, trajneri Emiljano Çela ka lënë një mesazh për ish-ekipin
- Sep 9, 2025
- 2 min read
Emiljano Çela nuk është më prej disa ditësh trajner i Besës së Kavajës. Palët mes tyre ndanë rrugët dhe tashmë në stolin e kavajasve është zyrtarizuar Shpëtim Duro. Ky ndryshim në stolin teknik vjen pas një periudhe të gjatë bashkëpunimi, ku Çela arriti të realizojë një bilanc të respektueshëm me 11 fitore, 6 barazime dhe 3 humbje në total nga 20 ndeshje.
Ish-trajneri i Besës ka reaguar në rrjetet sociale pas këtij largimi, duke falenderuar të gjithë për mbështetjen dhe mundësinë e dhënë. Ai u uroi kavajasve sa më shumë suksese dhe rikthim në majën e futbollit shqiptar, duke theksuar se marrëdhënia mes tij dhe klubit mbetet e bazuar në mirëkuptim dhe respekt reciprok.
Në mesazhin e tij, Çela shkruan: “Pershendetje. Sic jeni informuar edhe nga media, por edhe nga deklarata zyrtare e klubit tashmë nuk do të jem më trajner i KS BESA. Pas 20 ndeshjeve në total (11 fitore, 6 barazime, 3 humbje), vendosëm ta ndërpresim bashkëpunimin këtu. Shpreh mirënjohje dhe konsideratë të veçantë për kryetarin e bashkisë, zotin Fisnik Qose, për punën dhe ndihmën që po jep për zhvillimin e futbollit në Kavajë, për presidentin zotin Nexhat Bizhdili për mundësinë që më dha për të drejtuar një nga klubet më të vjetër të futbollit shqiptar, dhe drejtorin Romeo Bizhdili për bashkëpunimin dhe suportin e vazhdueshëm.
Patjetër që një falenderim i veçantë shkon për të gjithë futbollistët dhe stafin për seriozitetin dhe profesionalizmin që treguan gjatë gjithë kësaj kohe. Shpresoj që së bashku, me punën tonë, të kemi bërë një hap të madh për të zhvilluar këtë klub dhe ekip, duke synuar nivelet më të larta të futbollit shqiptar. Mirupafshim KS BESA.”
Ky lamtumirë e Çelës tregon se largimi i tij është bërë me respekt dhe pa tensione, ndërsa vëmendja e të gjithë tifozëve tani është tek Shpëtim Duro dhe sfidat e ardhshme të Besës.
“KORÇA BOOM”
















