top of page

POLICIA/Në Korçë arrestohet 36-vjeçari i gjendet heroinë. Pas kontrollit, ja çfarë ju gjet në banesë

  • Writer: Korca Boom
    Korca Boom
  • Jul 18, 2023
  • 1 min read

DVP Korçë / Vijojnë operacionet policore për goditjen e veprimtarisë kriminale të shitjes në doza, të drogave të forta.

Finalizohet operacioni policor i koduar "Night sales 4".

Posedonte në banesë dhjetëra doza të lëndës narkotike heroinë, me qëllim shitjen, vihet në pranga 36-vjeçari.

Sekuestrohet një automjet që ky shtetas e drejtonte pa leje drejtimi dhe dyshohet se e përdorte për shpërndarjen e lëndës narkotike.

Sekuestrohen edhe dozat e heroinës që u gjetën në banesë, bashkë me 2 celularë.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve të DVP Korçë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, në vazhdën e operacioneve të njëpasnjëshme për goditjen e veprimtarisë kriminale të shitjes së lëndëve narkotike, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar "Night sales 4", si rezultat i të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi:

- E. S., 36 vjeç, banues në Korçë.

Në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore se ky shtetas ushtronte veprimtarinë e paligjshme të prodhimit e shitjes së narkotikëve, shërbimet e Policisë lokalizuan automjetin tip "Audi" me të cilin po lëvizte 36-vjeçari. Gjatë verifikimit të kryer rezultoi se shtetasi E. S. e drejtonte automjetin, pa leje drejtimi. Në vijim të veprimeve procedurale, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij, u gjet një sasi lënde e dyshuar narkotike heroinë, e ndarë në dhjetëra doza, që dyshohet se sigurohej nga ky shtetas, me qëllim shitjen. Sasia e lëndës narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin dhe 2 celularë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.



bottom of page