Policia sekuestron para, d*rogë dhe pasaporta gjatë operacionit në lagjen nr. 18
- Korca Boom
- Oct 13
- 1 min read
Policia e Durrësit ka finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Storm 9”, i cili kishte si qëllim goditjen e një rrjeti kriminal që merrej me trafikimin e grave dhe shfrytëzimin e tyre për prostitucion.
Gjatë operacionit janë arrestuar në flagrancë dy shtetase kolumbiane, M. A. dhe Y. C., të dyja 24 vjeçe. Ato kishin marrë me qira një apartament në lagjen nr. 18 të Durrësit, ku dyshohet se ushtronin aktivitet të paligjshëm të prostitucionit dhe shpërndanin lëndë narkotike. Ato akuzohen për “Prostitucion”, “Përshtatje e ambienteve për prostitucion” dhe “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”.
Nga kontrolli i ushtruar në banesë, Policia sekuestroi një sasi lënde narkotike të dyshuar si cannabis sativa, një shumë parash të dyshuar si e përfituar nga prostitucioni, pesë telefona celularë dhe pasaportat e dy të arrestuarave.
Po në kuadër të operacionit, është shpallur në kërkim organizatori i dyshuar i rrjetit kriminal, shtetasi D. G., 28 vjeç, me origjinë nga Kolumbia. Ai përballet me akuzat për “Trafikimi i personave të rritur” dhe “Shfrytëzimi i prostitucionit”.
Ndërkohë, është proceduar penalisht edhe pronari i apartamentit, shtetasi V. R., 45 vjeç, banues në Durrës, për veprat penale “Fshehja e të ardhurave” dhe “Moskallëzimi i krimit”.
Në vijim të hetimeve janë proceduar penalisht edhe tre shtetas të tjerë, M. S., E. B. dhe A. H., të dyshuar për përfshirje në veprimtarinë e paligjshme, konkretisht për veprën penale “Prostitucioni”.
“KORÇA BOOM”



















