top of page

Portugalia fiton për herë të dytë Ligën e Kombeve

  • Writer: Korca Boom
    Korca Boom
  • 7 days ago
  • 1 min read

Portugalia është shpallur për herë të dytë fituese e Ligës së Kombeve, ndërsa Spanja me yjet e saj u tregua e thyeshme, madje edhe atëherë kur ishte në avantazh. Kundërshtarët gjetën mënyrën për ta mposhtur. Këtë e bëri Portugalia e drejtuar nga Roberto Martinez. Iu përgjigj golit me gol, ndryshe thënë, “dhëmb për dhëmb”, e dërgoi ndeshjen në kohë shtesë dhe më pas te penalltitë, ku gjithçka shkoi në favorin e tyre.


Zubimendi shënoi për Spanjën, por Nuno Mendes barazoi rezultatin. Më pas, Oyarzabal kaloi sërish spanjollët në avantazh, ndërsa ekuilibrin e vendosi legjendari Cristiano Ronaldo. Portugalia nuk u dorëzua as kur në fillimin e pjesës së dytë u anulua goli i Bruno Fernandes për pozicion jashtë loje. Nuno Mendes kishte një meritë të veçantë që arriti të ndalte Lamine Yamal, ndërsa Diogo Costa priti penalltinë e Alvaro Moratës.


Nga pika e bardhë për Portugalinë nuk gabuan Ruben Neves, Nuno Mendes, Bruno Fernandes, Vitinha dhe Gonçalo Ramos. Portugalia, me shumë meritë, është në “qiellin e shtatë” së bashku me Cristiano Ronaldon, i cili ngre një tjetër trofe në karrierën e tij të lavdishme.


Një finale për t’u shijuar në “Allianz Arena”, ndërsa Spanja do të duhet të presë të paktën deri në Kampionatin Botëror 2026 për të shpresuar t’i rikthehet trofeve. Në fund, një arbitrim i shkëlqyer nga zvicerani Sandro Schärer.


Portugali - Spanjë 2-2

(Nuno Mendes 26', Cristiano Ronaldo 61' / Zubimendi 21', Oyarzabal 45')

(Me penallti, 5-3 për Portugalinë)Finalja e Ligës së Kombeve, sezoni 2024-2025



“KORÇA BOOM”



bottom of page