top of page

Projektligj i ri për nëpunësit civilë/ Qeveria propozon reformimin e shërbimit civil dhe rritjen e transparencës në rekrutim

  • Writer: Korca Boom
    Korca Boom
  • Oct 31
  • 2 min read

Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni, ka publikuar për konsultim publik projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në Ligjin Nr.152/2013, ‘Për Nëpunësin Civil’, të ndryshuar”.


Ky projektligj synon modernizimin e modelit të Shërbimit Civil në Shqipëri, përmirësimin e proceseve të rekrutimit, rritjen e meritokracisë dhe krijimin e kushteve për tërheqjen e profesionistëve të kualifikuar, si nga brenda ashtu edhe nga jashtë administratës publike.

Sipas Ministres Pirdeni, ndryshimet synojnë më shumë transparencë, fleksibilitet dhe siguri në procesin e rekrutimit, si dhe një sistem të riformatuar pagash që nxit performancën dhe motivimin e punonjësve.


Ndryshimet kryesore që parashikon projektligji


  1. Standard unik rekrutimi për të gjithë administratën publike

    Rekrutimi mbi bazën e meritës do të shtrihet në të gjitha institucionet publike, pavarësisht nëse janë pjesë e shërbimit civil apo jo. Procesi do të administrohet nga një Komision Kombëtar i Atestimit, me përfaqësim nga qeveria, institucionet e pavarura dhe qeverisja vendore.


  2. Model i ri pranimi në nivelin hyrës

    Do të zhvillohet në dy faza: një testim kombëtar i uniformizuar nga DAP dhe një konkurs specifik për pozicionin vakant, nën mbikëqyrjen e DAP.


  3. Ristrukturim i rekrutimit për nëpunësit e nivelit të lartë drejtues

    Do të ketë më shumë transparencë dhe siguri në përzgjedhje. Pozicionet do të shpallen individualisht, ndërsa Sekretarët e Përgjithshëm dhe titullarët e institucioneve do të kenë mandate 5-vjeçare të rinovueshme. Kufizohen ndërhyrjet diskrecionare në përzgjedhje.


  4. Sistem më i hapur karriere dhe më shumë fleksibilitet

    Lejon qarkullim më të madh midis sektorit publik dhe atij privat. Rritet kufiri i rekrutimeve nga jashtë, nga 20% në 50% të pozicioneve vakante brenda një viti. Parashikohet mundësia për rikthim në shërbimin civil pas eksperiencave në sektorë të tjerë.


  5. Strukturë e re pagash që nxit performancën

    Hiqet avancimi automatik në shkallët e pagës. Parashikohet bonus vjetor për performancë të lartë, për një përqindje të kufizuar punonjësish. Futet një sistem i ri vlerësimi me 5 nivele, në vend të 4 që ekzistojnë aktualisht.


  6. Projektligji është hartuar në bashkëpunim me ekspertët e programit “BE për Mirëqeverisjen” dhe OECD/SIGMA, si dhe me përfaqësues nga ministritë, institucionet e pavarura dhe grupet e interesit. Nga 31 tetori 2025, ai do t’i nënshtrohet një procesi të gjerë konsultimi publik me qëllim mbledhjen e komenteve dhe propozimeve për përmirësim.


Sipas Ministres Pirdeni, një administratë moderne, profesionale dhe e bazuar në merita është thelbësore për përparimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

"KORCA BOOM"

ree

bottom of page