Qëlloi me çifte kuajt, nis hetimi ndaj 55-vjeçarit, i sekuestrohet edhe arma
- Korca Boom
- Aug 9
- 1 min read
Një ngjarje e rëndë u regjistrua ditën e djeshme në zonën e Llogarasë në Vlorë, ku u qëllua me armë gjahu një tufë kuajsh. Policia e Vlorës ka identifikuar si të dyshuar për këtë veprim 55-vjeçarin S.M., banues në Orikum, ndaj të cilit ka nisur hetimi në gjendje të lirë.
Autoritetet i kanë sekuestruar atij armën e zjarrit tip çifte për ekzaminime të mëtejshme. Nga hetimet paraprake rezulton se nga të shtënat u dëmtua vetëm një prej kuajve, ndërsa ngjarja dyshohet të ketë lidhje me konflikte për konkurrencë mes pronarëve të guidave turistike në zonë, por nuk përjashtohet pista e gjahtarëve të paligjshëm.
Njoftimi i Policisë:
Në vijim të dokumentimit të plotë për rastin e referuar në Prokurori, për veprën penale “Keqtrajtimi i kafshëve”, ku në territorin e parkut të Llogarasë, fillimisht dyshohej se ishin dëmtuar dy kuaj të shtetasit K. K., 46 vjeç, por nga verifikimet rezultoi se ishte dëmtuar njëri prej tyre, të cilit i ishin shkaktuar disa dëmtime nga armë gjahu, specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Orikum kanë bërë të mundur identifikimin e autorit të dyshuar dhe nisjen e procedimit penal në ngarkim të tij, konkretisht ndaj shtetasit S. M., 55 vjeç, banues në Orikum. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua, për ekzaminime të mëtejshme, edhe një armë gjahu në pronësi të shtetasit S. M.
“KORÇA BOOM”



















