"Qui Vadis", ky Skënderbe? Mos po ndodh si basketbolli...
- Korca Boom
- Jun 12
- 1 min read
Situata e sportit në Korçë po shfaq gjithnjë e më shumë shenja alarmante. Pas vështirësive që po kalon futbolli, tani janë dritat e kuqe që po ndizen edhe në një tjetër sport me traditë në qytet: volejbolli për femra.
Ekipi i Skënderbeut, që deri sezonin e kaluar ishte pjesë e kampionatit dhe kishte një grup konkurrues, sot është zhveshur plotësisht nga lojtarët. Asnjë prej vajzave që ishin pjesë e skuadrës sezonin e kaluar nuk është më në ekip. Një pjesë e madhe e tyre tashmë i janë bashkuar Pogradecit, ndërsa të tjera kanë kaluar tek ekipe të ndryshme në Tiranë dhe qytete të tjera.
Situata është bërë edhe më e rëndë nga mungesa e një trajneri të konfirmuar. Nuk ka asnjë sinjal konkret për ndonjë projekt apo përpjekje për rindërtim, dhe frika më e madhe tashmë është që ekipi të mos shkrifet fare. Pa grup, pa staf dhe pa mbështetje të dukshme, është e pamundur të flitet për rivalitet apo pjesëmarrje në një kampionat kombëtar.
Kjo është një goditje e rëndë për sportin e vajzave në Korçë dhe një tregues i qartë i krizës që ka përfshirë klubin në tërësi. Nëse nuk merren masa të menjëhershme, tradita e volejbollit për femra rrezikon të mbetet vetëm një kujtim i largët për qytetin që dikur jetonte me emocionet e sportit.
“KORÇA BOOM”
