Rashica supergol, Liço shënon dhe zgjidhet lojtar i ndeshjes. Shkëlqejnë "ish"-ët e Skënderbeut
- Korca Boom
- 3 days ago
- 2 min read
Dy ish-lojtarët e Skënderbeut, Ermir Rashica dhe Dean Liço po tregohen vendimtarë në skuadrat e tyre, në këtë fund kampionati. Pas shkëlqimit në Superiore me skuadrën korçare, ata po lënë shenjë edhe në kampionate të rëndësishme.
Rashica vazhdon të luajë një rol vendimtar në ecurinë e Metalist 1925 në kampionatin ukrainas të futbollit. Sulmuesi i Shqipërisë U-21 ka qenë protagonist i fitores së fundit nga skuadra e tij në transfertën ndaj Bukovinas, duke shënuar golin që vendosi rezultatin përfundimtar 2-1.
Goli i Rashicës erdhi në minutën e 44-t të takimit, pas një aksioni personal që solli përmbysjen e rezultatit dhe i dha ekipit tre pikë të rëndësishme në luftën për ngjitjen në elitën e futbollit ukrainas.
Për lojtarin e përfaqësueses U-21 të Shqipërisë, ky ishte goli i tretë në tre ndeshjet e fundit, çka tregon për një formë të qëndrueshme dhe kontribut të drejtpërdrejtë në objektivat e skuadrës.
Me këtë fitore, Metalist 1925 mban aktualisht vendin e dytë në renditje, një pozicion që, nëse ruhet deri në fund të sezonit, garanton ngjitjen në Premier Ligën e Ukrainës.
Paralelisht Dean Liço, ishte autor i një prej golave në fitoren me rezultat të thellë të Boluspor ndaj Adanaspor në Ligën e Parë turke. Ndeshja u mbyll me rezultatin 7-0 në favor të Boluspor, dhe Liço kontribuoi me golin e dytë të sfidës. Paraqitja e tij u vlerësua maksimalisht, duke u shpallur edhe si lojtari më i mirë i takimit.
Liço ka spikatur në Turqi këtë sezon, teksa në 34 ndeshje të zhvilluara, ai ka shënuar pesë gola dhe ka dhënë katër asistime, duke u konfirmuar si një mesfushor me impakt të drejtpërdrejtë në rezultatet e arritura.
“KORÇA BOOM”
