Reagon gazetari Ervin Baku: “Kjo ndeshje nuk duhet të ishte zhvilluar”
- Korca Boom
- Apr 29
- 1 min read
Ekipi i Skënderbeut në volejboll për femra do të luajë sot në orën 17:00 kundër Tiranës, në takimin e dytë mes tyre për të vendosur titullin kampion. Por siç dihet tashmë, ditën e shtunë, teksa ekipi udhëtonte drejt Tiranës, është përfshirë në një aksident rrugor, ku autobusi i Skënderbeut është përplasur nga një automjet tjetër.
Si pasojë e aksidentit, disa lojtare kanë pësuar dëmtime fizike, ndërsa pothuajse të gjitha kanë përjetuar një traumë psikologjike. Në këto rrethana, ka reaguar gazetari i njohur sportiv Ervin Baku, i cili deklaroi:
“Për mua, kjo ndeshje nuk duhet të ishte zhvilluar sot. Nuk e di çfarë thotë rregullorja në raste të tilla, por mbi çdo interes, e rëndësishme është shëndeti i vajzave. Ato janë të dëmtuara fizikisht dhe të rënduara psikologjikisht. Kjo ndeshje duhej shtyrë të paktën për dhjetë ditë. Gjithashtu, edhe pse ndeshja ishte planifikuar të luhej në Tiranë, ajo duhej zhvilluar në Korçë, në mënyrë që vajzat të mos udhëtonin. Mendoj se, nëse Federata do të kishte biseduar me Tiranën, edhe ato do të kishin pranuar. Më shumë se një ndeshje, sot doja të shihja një ndjenjë solidariteti sportiv.”
Pavarësisht kësaj situate të vështirë, Skënderbeu do të paraqitet në fushë me katër lojtare të dëmtuara që nuk do të mund të luajnë, çka e bën më të lehtë rrugën e Tiranës drejt fitores.
“KORÇA BOOM”
