Sëmundje e rrezikshme prek tufat: Rasti i parë i Murtajes së Ruminantëve të Vegjël në Shqipëri
- Korca Boom
- Jun 7
- 1 min read
Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve njofton se është konfirmuar rasti i parë i sëmundjes Murtaja e Ruminantëve të Vegjël në Shqipëri.
Sipas të dhënave zyrtare, shenjat e para të kësaj sëmundjeje janë vërejtur te dhitë dhe cjapët, ku janë konstatuar simptoma karakteristike të sëmundjes. Pas analizave laboratorike, rasti është konfirmuar si pozitiv.
Autoriteti thekson se janë marrë menjëherë masa për izolimin e vatrës, kontrollin e përhapjes dhe njoftimin e strukturave vendore veterinare. Po ashtu, janë angazhuar ekipet në terren për monitorim të situatës dhe këshillim të fermerëve.
Murtaja e Ruminantëve të Vegjël është një sëmundje ngjitëse që prek kryesisht dhitë dhe delet, duke shkaktuar humbje të mëdha ekonomike. Sëmundja nuk transmetohet te njerëzit, por kërkon ndërhyrje të shpejtë për të parandaluar përhapjen në tufat e tjera.
Autoriteti u bën thirrje të gjithë blegtorëve që të tregojnë kujdes të shtuar dhe të raportojnë menjëherë çdo rast të dyshimtë pranë veterinerëve lokalë ose zyrave përkatëse.
“KORÇA BOOM”
