Sali Berisha reagon pas ndarjes nga jeta të Fatos Nanos: Mbylli sytë përgjithmonë, personalitet kryesor i të majtës shqiptare
- Korca Boom
- Oct 31
- 1 min read
Lajmi për ndarjen nga jeta të ish-kryeministrit Fatos Nano ka sjellë reagime të shumta në skenën politike shqiptare. Ndër të parët që ka shprehur ngushëllimet e tij ka qenë kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha.
Në një reagim në rrjetet sociale, Berisha shkruan:
“Fatos Nano mbylli sytë përgjithmonë. Të dashur miq, Fatos Nano, ish-kryeministër i vendit dhe ish-kryetar i Partisë Socialiste, personalitet kryesor i të majtës shqiptare gjatë tranzicionit, mbylli sytë përgjithmonë.”
Berisha theksoi kontributin e ish-kreut të qeverisë në reformimin e Partisë Socialiste dhe afrimin e saj me forume të majta ndërkombëtare, si dhe pranimin e rotacionit të pushtetit, që sipas tij ishte një akt politik i rëndësishëm për demokracinë shqiptare.
“Fatos Nano ka meritën e reformimit të Partisë Socialiste, anëtarësimin e saj në forume të majta ndërkombëtare si dhe pranimin nga ai vetë të rotacionit të pushtetit,” shkroi Berisha.
Reagimi i Berishës vjen pas lajmit të hidhur për ndarjen nga jeta të Fatos Nanos, një prej figurave më të rëndësishme të politikës shqiptare të pas viteve ’90, që la gjurmë në tranzicionin dhe zhvillimin e sistemit politik në vend.
"KORCA BOOM"



















