SHKUNDET GREQIA/ Alarm për cunam pas tërmetit me magnitudë 6.1 që tronditi Kretën
- Korca Boom
- May 14
- 1 min read
Një tërmet i fortë është regjistruar gjatë natës së kaluar në Greqi, me epiqendër pranë ishullit të Kretës.
Sipas Qendrës Sizmiologjike Europiane Mesdhetare, tërmeti ka qenë me magnitudë 6.1 e shkallës Rihter dhe me një thellësi fokale prej 71 km, teksa lëkundjet sizmike janë regjistruar në orën 01:51 me orën greke.
Epiqendra e tërmetit ka qenë rreth 20 kilometra në jug-jugperëndim të ishullit Kasos, në lindje të Kretës, njoftoi Instituti Gjeodinamik i Observatorit Kombëtar të Athinës. Lëkundjet sizmike u ndjenë pranë Kretës, si dhe në ishujt Rodos dhe Kos, si dhe në disa pjesë të Turqisë, dhe si masë paraprake u lëshua një paralajmërim për cunami.
Deri më tani nuk ka raportime për të lënduar apo dëme të rënda materiale. Presidenti i Organizatës për Planifikimin dhe Mbrojtjen nga Tërmetet (OASP) dhe profesori i gjeologjisë, Efimios Lekas, tha se thellësia e madhe fokale ishte një tipar kyç i këtij tërmeti, pasi uli intensitetin në sipërfaqe.
Sipas përshkrimeve të para të banorëve, nuk u regjistrua asnjë ndikim i rëndësishëm i tërmetit. Lekas theksoi se tërmete të tilla në atë thellësi zakonisht ndodhin si ngjarje individuale, pa aktivitet të theksuar para ose pas sizmik.
“KORÇA BOOM”

