SKËNDERBEU/ Bën punë vetëm fitorja ndaj Bylisit. Me tifozët bardhekuqtë ia dalin!
- Korca Boom
- Apr 22
- 1 min read
E diela nuk është e largët dhe Skënderbeu-Bylis është kryendeshja e kësaj jave të fundit, e thënë ndryshe ndeshja që mbart emocionet më të mëdha në këtë finish të superligës. Në orën 15:30 të kësaj të diele, Skënderbeu dhe Bylisi do të përballen për të zbardhur jo pak në lidhje me atë se cilat do të jenë skuadrat që do të zbresin këtë sezon nga superliga.
Në bazë të llogarive, Skënderbeut këtë fundjavë i bën punë vetëm fitorja për të mos pritur rezultatet e ndeshjeve të tjera dhe fatin e ka vetë në dorë, teksa përballë ka ballshiotët që nëse humbasin edhe ata shpresojnë te rezultatet negative të dy ekipeve që renditen në fund, Laçi apo Tirana.
Nëse ka një ndeshje që Skënderbeu duhet ta luajë me shpirt e zemër është kjo ndaj Bylisit, takim që padiskutim po përgatitet në mënyrën më të mirë nga bardhekuqtë. Nga informacionet e fundit Skënderbeu për këtë ndeshje nuk ka asnjë mungesë, pra ka grupin e plotë dhe ky është një lajm pozitiv.
Të dielën kërkohet nga bardhekuqtë edhe mbështetja e “Ujqërve të dëborës” që nëse ka një ndeshje që duhet të mbështesin ekipin e tyre të zemrës, është kjo e kësaj jave të fundit. Stadiumi “Skënderbeu” duhet të jetë plot e përplot në këtë ndeshje dhe tifozët padiskutim që janë gati këtë të diel.
Skënderbeu-Bylis është ndeshja e sezonit dhe me mbështetjen e sportdashësve Skënderbeu padiskutim që do ia dalë.
Forca Skënderbe! Është momenti yt!
“KORÇA BOOM”
