Skënderbeu-Vora, nesër në Korçë në orën…!
- Korca Boom
- Jul 29, 2023
- 1 min read
Edhe plot tre ndeshje të tjera do të luajë Skënderbeu në prag të startit të superligës për këtë sezon. Vora nesër, Elbasani dhe në fund Flamurtari, janë tre skuadrat që Skënderbeu do t’i presë në shtëpi, përpara se trajneri Ivan Gvozdenoviç të thotë fjalën e fundit se ku do të jetë Skënderbeu i këtij sezoni në superligë.
Testi miqësor i radhës vjen shumë shpejt dhe Skënderbeu do të presë pikërisht nesër në shtëpi Vorën, skuadër jo fort e lehtë, por që gjithsesi do t’u shërbejë shumë të dy ekipeve në këtë fazë përgatitore. Vora luan në kategorinë e parë dhe luajti vitin e kaluar me Skënderbeun, ndërkohë që nesër do të jetë mysafir sërish në Korçë.
Sipas klubit bardhekuq akoma nuk është caktuar orari i startit të kësaj ndeshjeje, por mësohet se gjasat janë të mëdha që të startojë në orën 19:30. Gjithsesi sot do të jetë verdikti i fundit i orarit, pas bisedës që do të zhvillojnë të dy klubet dhe më pas do të bëhet publik edhe për mediat.
Skënderbeu nesër do të ketë sërish një provë testi që për trajnerin bardhekuq dhe stafin e tij vlen shumë, pasi do të shikojë gjendjen e grupit që ka deri në këto momente në disipozicion.
