Super Skënderbeu mposht Egnatian në Rrogozhinë/Merlin shënon një “perlë” si brazilian/Korça në festë
- Korca Boom
- Aug 26, 2023
- 2 min read
Egnatia-Skënderbeu 0-1
Skënderbeu: Alia, Ramos, Prençi, Frashëri, Shaqe (Gerco 75’), Rabiu, Pecani (Merlin 55’), Nikaj (Vangjeli 75’), Randi, Liço, Rashica (Lika 61’). Trajner: Ivan Gvozdenoviç
Shënues: Merlin 59’
Skënderbeu ia del në Rrogozhinë, madje bën surprizën që në javën e parë të superligës. Askush nuk e priste që skuadra e ngjitur nga kategoria e parë do të mposhtte Egnatian brenda në shtëpi, por Gvozdenoviç dhe të tijtë ia dolën të shënonin këtë fitore të madhe në transfertë.
Një supergol i Merlin në pjesën e dytë vendosi këtë fitore trepikëshe, duke bërë një start si jo më mirë ky Skënderbe.
As me fanatiku nuk e mendonte që kjo skuadër e re e ndërtuar me shumë lojtarë të rinj do të fitonte në këtë transfertë kaq të vështirë, por ja, Skënderbeu ia doli.
Bravo presidentit Ardjan Takaj! Bravo Ivan Gvozdenoviç! Bravo futbollistëve për shpirtin që treguan në fushë dhe që siguruan që në start këtë fitore që moralisht është një fitore më shumë se e madhe.
Pjesa e parë
45 minutat e para kanë qenë të luftuara nga të dy ekipet dhe Skënderbeu si debutues në superligë duhet thënë se ka bërë një paraqitje vërtet të mirë.
Nikaj për Skënderbeun ka pasur një mundësi të mirë në minutën e 6-të, ndërkohë që po në minutën e 22-të kishte mundesi tjetër shkodrani, por topi i gjuajtur nga ai largohet nga muri mbrojtës i vendasve.
Randi dy herë në minutën e 22-të dhe 27-të mund të kishte rezikuar me gjuajtjet e tij.
Edhe Kasa për vendasit ka një mundësi të mirë, por është i saktë Alia.
Deri në fundin e pjesës së parë ka luftë dhe kartonë, ndërkohë që pavarësisht se u dhanë 4-ër minuta shtesë, asgjë nuk ndryshoi dhe gjithçka u mbyll në bardhësinë 0-0.
Pjesa e dytë
E dyta nis me një rast të pastër për Egnatian. Fernando gjuan dhe Skënderbeun e shpëton shtylla e majtë pingule edhe pse pas këtij aksioni është ngritur flamuri për pozicion jashtë loje.
Duhet të vinte e 59-ta minutë që Skënderbeu të shtangte vendasit, teksa Juri Merlin me 4 minuta në fushën e lojës, pasi zëvendësoi Pecanin, lëshon një predhë dhe 0-1 për Skënderbeun.
Në minutën e 63-të është Ermir Rashica që për pak sa nuk shënon edhe të dytin, teksa gjuan dhe topi kalon ngjitur me shtyllën e portës së Egnatias.
Kasa dhe Duamena janë dy raste për vendasit, por nuk janë të saktë në zonën korçare.
Më pas ndërhyn stafi teknik i Skënderbeut, teksa Shaqe dhe Nikaj, ia lanë vendin Vangjelit dhe Gerco.
Deri në fund ka acarime, sidomos nga Egnatia vendase, ku edhe kartonët e kuq nuk munguan për stafin vendas, por edhe 7 minutat e shtesës nuk sollën asnjë ndryshim në rezultat.
Skënderbeu ia doli. Skënderbeu bëri këtë start si një skuadër e madhe.
Bravo ju qoftë djema…!


