Të gjithë folën, po Ernest Gjoka ka ndonjë fjalë për të thënë!?
- Korca Boom
- Apr 30
- 1 min read
Edhe pse me një ditë vonesë, ose më shumë, pas humbjes që pësoi Skënderbeu, e cila natyrisht u shoqërua me rënien në një kategori më poshtë, kanë folur një nga një drejtuesit: presidenti Ardian Takaj, drejtori teknik Ardi Gjançi, kapiteni Elvis Prençi dhe shumë futbollistë.
Por ajo që pritej më shumë, mungon ende, fjalët e trajnerit Ernest Gjoka.
Madje, edhe pas ndeshjes me Bylisin, Gjoka nuk doli para mediave, ndonëse kjo është një përgjegjësi dhe detyrim i tij. Kjo ishte zgjedhja e trajnerit, por deri në këto momente, as në rrjetet sociale nuk ka asnjë reagim nga ai – qoftë edhe për të falënderuar klubin dhe tifozët që e kanë mbështetur.
Sigurisht, Gjoka bëri çfarë mundi dhe të gjithë shpresuan se do të arrinte objektivin e deklaruar, mbijetesën. Por, për fat të keq, kjo nuk u realizua. I ardhur te korçarët pas largimit të trajnerit Ivan Gvozdenović, besohej se do t’ia dilte, sidomos pas afrimeve të reja në merkaton dimërore, ku kishte në dispozicion lojtarë me cilësi.
Kur u prezantua vitin e kaluar, Gjoka nënshkroi një kontratë njëvjeçare e gjysmë. Sot nuk dihet nëse ai do ta respektojë atë kontratë dhe nëse do të jetë ai që do ta rifillojë punën për rikthimin e Skënderbeut. Kjo mbetet një çështje kohe – dhe shumë shpejt mund të mësojmë emrin e trajnerit të ri të Skënderbeut.
“KORÇA BOOM”
