top of page

Tentoi të vr*ste bashkëshorten para shkollës së fëmijëve, arrestohet 44-vjeçari shqiptar

Mar 6
2 min read

Një ngjarje e rëndë u shmang në Nova Siri Scalo të Italisë, ku një burrë sulmoi me thikë bashkëshorten e tij përpara shkollës që frekuentojnë fëmijët e tyre adoleshentë.


Sipas dëshmive, burri e goditi fillimisht gruan në zonën e qafës, por plaga rezultoi e lehtë, ndërsa ajo u përpoq të mbrohej me duar dhe krahë. Goditjet i shkaktuan plagë në duar dhe në krahë, ndërsa një prej tyre i kaloi shumë pranë qafës, duke rrezikuar jetën e saj.


Pas sulmit, autori u largua nga vendngjarja duke tentuar të zhdukte gjurmët, por u arrestua pas pak orësh nga karabinierët. Bëhet fjalë për një 44-vjeçar me origjinë shqiptare, banues në Prato.


Gruaja u ndihmua menjëherë nga shërbimi i urgjencës 118, i thirrur nga qytetarët që ishin dëshmitarë të ngjarjes. Ajo u transportua në spitalin “Giovanni Paolo II” në Policoro, ku mori ndihmën mjekësore dhe pas disa orësh u la të kthehej në shtëpi në gjendje të mirë, megjithëse me plagë të fashuara në duar dhe krahë.


Sipas hetuesve, burri kishte udhëtuar nga Prato për të takuar bashkëshorten dhe e kishte pritur pranë shkollës pasi ajo kishte lënë fëmijën. Fillimisht mes tyre ka pasur një debat verbal, i cili më pas ka degjeneruar në sulm me thikë.


Për fat të mirë, ngjarja ndodhi pa praninë e fëmijëve apo nxënësve të tjerë të shkollës.

44-vjeçari u ndalua nga forcat e rendit, u mor në pyetje për të rindërtuar dinamikën dhe motivet e ngjarjes dhe më pas u dërgua në burg. Nga dëshmia e viktimës dhe hetimet paraprake dyshohet se në bazë të sulmit qëndrojnë konflikte të mëparshme familjare.


Ai pritet të merret sërish në pyetje, ndërsa prokuroria e Materas po shqyrton nëse ndaj tij do të ngrihen akuza për tentativë vrasjeje ose për tentativë femicidi. Kjo e fundit është një vepër penale e futur në Kodin Penal më 2 dhjetor 2025 dhe parashikon dënim me burgim të përjetshëm në rast se viktima humb jetën.

"KORCA BOOM"


bottom of page