Universiteti “Fan S. Noli” bëhet urë lidhëse mes dy kombeve
- Korca Boom
- Jun 20
- 1 min read
Në Universitetin “Fan S. Noli” po zhvillon punimet konferenca “Becoming a Greek-Albanian”, e organizuar në bashkëpunim mes Universitetit Panteion të Greqisë dhe Universitetit “Fan S. Noli”, në kuadër të projektit kërkimor të financuar nga Fondacioni Hellenic për Kërkim dhe Inovacion – EL.IDEK.
Në mjediset e Bibliotekës “Kongresi i Manastirit”, pranë Fakultetit të Edukimit dhe të Filologjisë, janë duke u prezantuar referimet e Panelit I.
Temën “Të bëhesh një greko-shqiptar: Bashkësi jo antagoniste në perspektiva përfshirëse: Gjetjet e kërkimit” po e prezantojnë Ilirida Musaraj, kandidate për doktoraturë në Universitetin Kombëtar dhe Kapodistrian të Athinës, si dhe Georgia Spyropoulou, kandidate për doktoraturë në Universitetin Panteion – të dyja anëtare të ekipit të projektit kërkimor.
Punimet e konferencës do të vijojnë me Panelin II, me temën “Kontekstualizimi i ndryshimeve të identitetit në perspektivën historike”, nën moderimin e profesor asistent doktor Eris Rusi, përgjegjës i Departamentit të Gjuhës dhe Letërsisë.
Në kuadër të këtij paneli do të shfaqet edhe dokumentari i shkurtër “Albgreko”, në ambientet e Teatrit “Andon Zako Çajupi” në Korçë.
Aktiviteti do të përmbyllet me një tryezë të rrumbullakët, ku do të zhvillohet një diskutim i gjerë me pjesëmarrjen e: Ilir Tsouko, regjisor; Stefania Kosta, politologe në Universitetin Panteion të Athinës dhe protagoniste në dokumentarin e shfaqur; doktor Jordan Jorgji, lektor në Departamentin e Shkencave Sociale, Universiteti “Fan S. Noli”; si dhe profesor asistent doktor Jonela Spaho, dekane e Fakultetit të Edukimit dhe Filologjisë. Moderimi i diskutimit do të bëhet nga Elsa Ballauri, drejtoreshë e Grupit Shqiptar për të Drejtat e Njeriut.
“KORÇA BOOM”
