top of page

VOLEJ FEMRA/ Çfarë po ndodh me Skënderbeun?! Përse humbën finalen e parë kampionet?

  • Writer: Korca Boom
    Korca Boom
  • Apr 24
  • 2 min read

Skënderbeu në volejboll për femra shkon nga “parajsa” në “ferr”. Në fakt është e ëvshtirë të shkruajmë këto rreshta në këtë moment, por padiskutim që ajo e humbje e djeshme në shtëpi ndaj Tiranës 3-0, ishte një humbje e rëndë dhe askush nuk mund ta kapërdijë.


Finalja e parë e zhvilluar dje zbuloi padyshim edhe problemet e ekipit të volejbollit të femrave, teksa Skënderbeu këtë “rrugëtim” të rënies në pikiatë e filloi qysh në fillim të këtij viti ku në një ndeshje miqësore në shtëpi e mposhti Pogradeci. Askush nuk e besoi në atë moment që skuadra do të zbriste kaq poshtë, por dje ishte realiteti i këtij Skënderbeu që kemi parë në këtë vit 2025.


Kupën e Shqiprisë e rrëmbeu brenda në Korçë, Tirana, ndërkohë që duket se edhe titulli po shkon drejt Tiranës. Atëhere vërtet çfarë po ndodh me këtë Skënderbe? Nuk është as që bëhet fjalë më skuadra e parë, ai ekip që frikësonte të gjitha ekipet e tjera. Skënderbeu edhe në finalen e titullit shkoi me fat, pasi mund të ishte Pogradeci skuadra që mund të shkonte më tej.


Mirë që jemi në finale, por të humbasësh qysh në ndeshjen e parë 3-0, madje në shtëpinë tëndë, kjo është e papranueshme.


Skënderbeu duket se nuk është më Skënderbe dhe tifozët janë të zhgënjyer nga ajo që kanë parë në parket. Do të kemi ndryshim qysh në ndeshjen e kthimit, apo do të shikojmë sërish një skuadër që copëtohet në këtë mënyrë?


Mbetet për tu parë, por kaq dobët sa e kemi këtë skuadër në këtë vit 2025-së, nuk e kishim parë prej kohësh. Diçka po ndodh me këtë skuadër të rrjetës bardhekuqe.


Qoftë thjesht një humbje aksidentale kjo e djeshmja, por nuk na e do mendja se mund të ishte rastëri… Të presim dhe të vërtetojmë këto që po themi, por kjo foto që po sjellim me ekipin që festonte trofe të shumtë, zor se përsëritet. Qofshim të gabuar!   



“KORÇA BOOM”



bottom of page