VOLEJ FEMRA/ Skënderbeu bie nga “froni”, vajzat bardhekuqe vetëm nënkampione
- Korca Boom
- May 2
- 2 min read
Skënderbeu – Tirana 1-3 (0-3)
(22-25, 27-25, 18-25, 13-25)
Skënderbeu në volejboll për femra sapo ka dorëzuar trofeun e titullit kampion dhe ky trofe nga qyteti i Korçës ka marrë rrugën në drejtim të Tiranës. Përfundimisht Skënderbeu ka dorëzuar këtë trofe me një finale prej tre ndeshjesh dhe, që të trija kanë folur për Tiranën, duke mos lënë aspak gjurmë këtë sezon dhe pa frikë mund të themi që ky është sezon i dështuar për Skënderbeun në volejboll për femra.
Edhe në ndeshjen e sotme ku shpresohej se mund të ishte dita e kthesës, Skënderbeu sërish është dorëzuar pa kushte dhe e vetmja gjë që mund të themi është se na vjen keq që skuadra jonë e zemrës u dorëzua kaq lehtë.
Në fillim të sezonit, të gjithë në qytetin e Korçës e mbajnë mend deklaratën e stafit teknik dhe klubit që trofeu nuk diskutohej dhe, se do të vinte në juglindje. Kjo gjë nuk ndodhi. Tani që historia e trofeut është mbyllur dhe kjo paraqitje kaq e dobët e vajzave tona tregoi se problemet te Skënderbeu në volejboll për femra janë më të mëdha sesa duken.
Nuk jemi ne ata që do t'i bëjmë analizën këtij Skënderbeu, por nesër kur edhe gjendja të jetë qetësuar, dikush duhet të mbajë përgjegjësi për këtë disfatë të Skënderbeut dhe për këtë gjendje që paraqiti skuadra edhe pse në fakt meritoi vetëm një titull, atë të nënkampiones.
Tirana e meritoi plotësisht trofeun dhe kujtojmë që i mori po në pallatin e sportit “Tamara Nikolla” këtij Skënderbeu trofeun, edhe të kupës së Shqipërisë. Dhe po në Korçë i rrëmbeu edhe titullin kampion.
Sa shumë keqardhje për të gjithë juglindjen dhe për tifozët që mezi e prisnin trofeun e titullit kampion.
Skënderbeu mbylli sezon të dështuar dhe kjo nuk diskutohet, por tashmë të presim analizën dhe ata që mbajnë përgjegjësi për këtë situatë, e cila duhet të kalojë sa më parë dhe, në Korçë të mendojnë qysh tani për sezonin e ardhshëm, sepse në juglindje Skënderbeun e duan vetëm kampion…
“KORÇA BOOM”
