3 fazat e para Skënderbeu-Tirana/ Shikoni rezultatet, golat dhe sa pikë kanë ndarë mes tyre
- Apr 4, 2024
- 2 min read
Është faza e katërt e superligës dhe kanë mbetur edhe 7-të javë deri në përfundim, ndërkohë që Skënderbeu-Tirana luhet për të katërtën herë këtë sezon dhe fakti është se të dy skuadrat kanë ndarë pikë të barabarta në përballjet mes tyre. Themi këtë pasi në tre fazat e para që janë luajur janë arritur këto rezultate.
Në fazën e parë Tirana fitoi 3-1 në shtëpi ndaj Skënderbeut në një ndeshje që në fakt nuk e meritonte. Kjo pasi ishin korçarët që shënuan të parët me anë Nikaj që në fillim, ndërkohë që Tirana do të barazonte në minutat e fundit të pjesës së parë. Në pjesën e dytë pas një loje vërtet të mirë Skënderbeu pësoi edhe dy gola të tjerë.
Në fazën e dytë të gjithë e mbajnë mend barazimin 1-1 mes këtyre dy skuadrave, ndërkohë që Nikaj do të shënonte në pjesën e parë nga pika e bardhë dhe vetëm në minutat shtesë të kësaj pjese Kaina do të barazonte shifrat. Në pjesën e dytë Skënderbeu pati raste të shumta, por që nuk mundi të fitonte.
Për të ardhur në fazën e tretë në atë ndeshje të çmendur në kryeqytet, ku u shënuan plot 7 gola dhe që Skënderbeu fitoi 4-3. Një nga ato ndeshje kartolinë për Skënderbeun dhe ishte nga ato takime që do të mbahet mend gjatë.
Tashmë mbetet për t'u parë faza e katërt ditën e hënë, por deri tani të dy ekipet përballë njëra-tjetrës kanë nga 1 fitore, 1 barazim dhe 1 humbje, pra 4 pikë për Skënderbeun dhe 4 pikë për Tiranën.
FAZA E PARË
Tirana-Skënderbeu 3-1
Shënues: Kaina 45’, Qefalija 77’, Hasani 94’ / Nikaj 3’
FAZA E DYTË
Skënderbeu-Tirana 1-1
Shënues: Nikaj 26’ (11-m) / Kaina 45+3’
FAZA E TRETË
Tirana-Skënderbeu 3-4
Shënues: Abazaj 28’, Përgjoni 36’, Patrick 84’ / Franklin 13’, 63’, Shaqe 18’, Liço 33’
















