DREJTORI SPORTIV i Skënderbeut: E kemi harruar Tiranën prej ditësh, mendojmë vetëm Teutën
- Feb 2, 2024
- 1 min read
Gjatë gjithë këtyre ditëve Skënderbeu është stërvitur në qytetin bregdetar të Durrësit dhe duket se pas asaj fitoreje ndaj Tiranës, gjithë stafi teknik apo edhe drejtuesit e klubit kanë kërkuar me këmbëngulje që të harrohet ajo fitore e fundit ndaj Tiranës dhe të mendohet vetëm për ndeshjen e nesërme ndaj Teutës.
Nesër, në orën 16:00 Teuta-Skënderbeu është çifti i javës së 22-të, ndërkohë që në kampin bardhekuq, duket se janë optimistë se skudra do të dalë me pikë edhe nga kjo transfertë.
Ka qenë Drejtori Sportiv i Skënderbeut, Ardi Gjançi që ka theksuar edhe për portalin "Korça Boom" se kjo ndeshje vlen shumë dhe trepikëshi që u sigurua ndaj Tiranës është harruar nga të gjithë: “Sigurisht që pas çdo ndeshjeje tjetra vjen shpejt dhe fitorja e fundit ndaj Tiranës u sfumua sapo skuadra iu kthye seancave stërvitore.
Nuk kishim më kohë të mendonim për ato që ikën. Teuta është një tjetër përballje e vështirë dhe shumë e fortë, prandaj duhej vlerësuar dhe e kemi vlerësuar maksimalisht.”
Kjo tregon se në kampin bardhekuq tashmë janë të përqëndruar te ndeshja e nesërme dhe padiskutim që vazhdimësia me rezultate pozitive është fokusi i këtij Skënderbeu.
















