E FUNDIT/ Volej Femra: Skënderbeu nuk ndalet, leksion Partizanit në kryeqytet. Siguron vendin e parë. Titulli më pranë. LEXONI!
- Mar 23, 2024
- 2 min read
Partizani-Skënderbeu 1-3
(25-22, 25-27, 14-25, 19-25)
Skënderbeu në volejboll për femra nuk di të ndalet dhe në këto momente sapo ka siguruar një fitore tjetër shumë vendimtare ndaj Partizanit në kryeqytet. Ishte një ndeshje e rëndësishme kjo e sotmja ndaj Partizanit të vendit të dytë dhe Skëndebeu e kishte vlerësuar maksimalisht, duke e fituar 1-3 dhe duke siguruar përfundimisht vendin e parë, gjë që do të thotë se në fazën e play-off-it do të luajë një ndeshje më shumë në shtëpi, në pallatin e sportit “Tamara Nikolla”.
Me këtë fitore Skënderbeu është një hap larg titullit kampion dhe titulli duket se e ka marrë rrugën drejt Korçës. Por, çfarë ka ndodhur sot në kryeqytet ndaj Partizanit dhe si kanë qenë setet:
Seti i parë i ndeshjes fillon me rivalitet, teksa barazimet janë prezente herë pas herë. Shkëputet Skënderbeu, më pas barazon Partizani dhe kjo është prezente deri në barazimin 12-12. Më pas 15-17 kryeson Skënderbeu dhe sërish shifrat barazohen në 17-17. Pas këtij barazimi të kuqet tregohen më të sakta dhe kryesojnë 20-17, ndërkohë që më pas 20-19, 22-20, 24-21 dhe seti i parë i takimit mbyllet 25-22 në favor të Partizanit. Pra 1-0 për vendaset.
Në setin e dytë Skënderbeu zgjohet dhe qysh në fillim shënon rezultatin e thellë 3-9. Më pas shifrat shkojnë në 5-9 dhe 6-11 për Skënderbeun, ndërkohë që rezultatin më të thellë korçaret e shënojnë në pikët 7-15. Tre pikë radhazi shënon Partizani që e çon rezultatin në 10-15, ndërkohë që më pas 14-17, 16-20, 19-23 dhe Skënderbeu rrezikon disi pasi e çon në pikët shtesë, por fiton 25-27 dhe barazon gjendjen e seteve në 1-1.
Seti i tretë i takimit fillon njësoj si seti i dytë me Skënderbeun që fillon mbarë, duke kryesuar që në fillim 1-5. Më pas 3-6 dhe 4-8, ndërkohë që korçaret 10-15 çojnë rezultatin në favorin e tyre dhe nuk kanë ndërmend që të lëshojnë “pe” as në këtë set. Diferenca prej 5 pikësh ruhet në 11-16 për Skënderbeun dhe më tej fillon edhe shkëputja për ta mbyllur sa më parë edhe këtë set, 13-20, 14-22 dhe krejt seti mbyllet 14-25. Në këtë mënyrë Skënderbeu përmbys setet tashmë në 1-2 në favorin e vet, duke shkuar më pranë fitores.
Seti i katërt ka qenë edhe më i lehti për Skënderbeun duke bërë që vajzat e Kojës të kthehen në lojën e tyre.
Me një Skënderbe tashmë të rikthyer në parket, seti i katërt flet që në start për vajzat korçare që duan ta mbylin sa më shpejt ndeshjen. 2-5 është gjendja e pikëve në fillim, ndërkohë që Partizani nuk dorëzohet pasi pas shifrave 7-9, arrin të barazojë rezultatin në 11-11 dhe këtu trajneri Orlando Koja detyrohet të marrë pushim. Pas pushimit vajzat e Kojës sërish kryesojnë 12-15, 13-16 dhe 14-18. Skënderbeu vazhdon kryesimin edhe në pikët e mëtejshme duke kryesuar 17-21, 19-23 dhe në fund të setit të katërt 19-25, duke mbyllur krejt takimin 1-3 në favor të Skënderbeut.
Në këtë mënyrë, Skënderbeu fiton edhe në kryeqytet ndaj Partizanit me rezultatin 1-3, duke treguar se është skuadra më e mirë për këtë sezon dhe pas 2 trofeve të fituara së fundmi, tashmë nuk ka dyshim që do të bëjë të vetin edhe titullin kampion, trofeun më të rëndësishëm të këtij sezoni.
Suksese Skënderbeut!
Bravo vajzave dhe stafit teknik të Skënderbeut!


















