EKSKLUZIVE/ Oferta nga Arabia dhe Kazakistani për trajnerin Ivan Gvozdenoviç. Në dorë e ka presidenti Ardjan Takaj
- May 25, 2024
- 1 min read
Ekskluzivisht portali “Korça Boom” mëson në këto momente, se në adresë të klubit “Skënderbeu” dhe në veçanti në tavolinën e presidentit Ardjan Takaj kanë mbërritur tri oferta për trajnerin e Skënderbeut, Ivan Gvozdenoviç.
Në fakt jemi mësuar që ofertat të mbërrijnë për lojtarët, por sukseset e Skënderbeut këtë sezon, kanë bërë që edhe trajneri i Skënderbeut, Ivan Gvozdenoviç të jetë në fokus të merkatos nga klube të ndryshme jashtë vendit.
Në orët e fundit kanë mbërritur 3 oferta zyrtare. Bëhet fjalë për dy klube nga Arabia Saudite dhe 1 klub nga Kazakistani që kanë kërkuar zyrtarisht trajnerin e Skënderbeut.
Kujtojmë që Ivan Gvozdenoviç ka kontratë 3-vjeçare me Skënderbeun dhe ky sezon që kaloi ishte i pari, që do të thotë se ka edhe dy vite të tjera kontratë me Skënderbeun.
Prandaj tashmë vendimin e merr vetëm presidenti Ardjan Takaj dhe nëse oferta do të jetë e majme sigurisht që mund të shohim edhe ndonjë lëvizje.
Vendi i tretë në superligë që arriti mbrëmë Skënderbeu, sigurisht që tregoi se te kjo skuadër ka nivel të lartë edhe pse lojtarët janë të rinj dhe shumë të talentuar.
Ndërkohë meritë të madhe ka edhe trajneri i ekipit që padyshim diti të ndërtonte në fushë një skuadër kaq të denjë.
Të shohim në ditët në vazhdim cila do të jetë përgjigjja e presidentit Ardjan Takaj në adresë të dy klubeve Arabe dhe klubit Kazak në lidhje me ofertat zyrtare që klubet kanë bërë për trajnerin, Ivan Gvozdenoviç.
Presidenti në fund të fundit është ai që do të vendosë.
















