FINALJA E VOGËL/ Skënderbeu kërkon revanshin ndaj Vllaznisë
- May 21, 2024
- 1 min read
Tashmë është përcaktuar edhe ndeshja që do të luajë Skënderbeu ditën e premte. Bëhet fjalë për finalen e vogël të kësaj superlige, Skënderbeu-Vllaznia ndeshje e cila do të luhet për prestigj dhe për asgjë tjetër.
Të premten e 24 majit në “Air Albania” në orën 19:00 luhet Skënderbeu-Vllaznia, ndeshje e cila padiskutim që do të ketë adrenalinë më vete edhe pse luhet për prestigj.
Skënderbeu padiskutim që do të luajë për të rrëmbyer vendin e tretë dhe për të treguar se jo rastësisht ishte deri këtu.
Sigurisht që një gjë e tillë nuk është e lehtë, por bardhekuqtë do të përpiqen t'i bëjnë një mbyllje dinjitoze krejt sezonit.
Edhe pse Skënderbeu humbi në gjysmëfinale 1-0 ndaj Partizanit, sërish korçarët janë me kokë lart pasi e kanë fituar sezonin e tyre dhe ky është një plus më shumë se i madh dhe një bonus për sezonin e ardhshëm edhe pse Skënderbeu nuk do të mund të marrë pjesë në Europë, pasi vazhdon të jetë i dënuar.
Në këtë mënyrë përgatitjet vazhdojnë në resortin “Tropikal” në Durrës për të qenë gati të premten në orën 19:00 dhe për të kërkuar tashmë vendin e tretë në superligë.
















