top of page

GVOZDENOVIÇ me letër e laps në dorë/ Sot luan Tirana që vjen të hënën në Korçë!

  • Apr 3, 2024
  • 1 min read

Sot në orën 15:00 luhen dy ndeshjet e fazës gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë teksa në veri të vendit, Kukësi pret Tiranën dhe në Rrogozhinë Egnatia pret Vllazninë.

Dy ndeshje ku njëra prej tyre i intereson shumë Skënderbeut. Bëhet fjalë për ndeshjen në Kukës, atje ku vendasit presin Tiranën. Kjo përballje u intereson bardhekuqve, pasi të hënën është po Tirana që do të udhëtojë në drejtim të Korçës ku e pret Skënderbeu në përballjen e javës së 30-të të superligës.

Në këtë mënyrë sot në orën 15:00 trajneri Ivan Gvozdenoviç dhe stafi i tij do të ulen me letër e laps në dorë për të ndjekur me shumë vëmendje këtë 90 minutësh dhe për të parë kundërshtarin dhe formën e të gjithë lojtarëve.

Njëshi i stolit bardhekuq do të studiojë me kujdes çdo skemë dhe më pas në ditët e fundit të kësaj jave në analizën që do të zhvillojë me lojtarët do t'ua parashtrojë të tijve të gjithë defektet që do të shikojë dhe do të krijojë idenë e qartë se ku Skënderbeu duhet ta godasë Tiranën.

Një ndeshje kjo Kukësi-Tirana që vjen në kohën e duhur për Skënderbeun, pasi korçarët sot nuk luajnë, ndërkohë që kundërshtari do të jetë në përballjen gjysmëfinale.

Po sot, sipas kalendarit do të luhet edhe ndeshja e prapambetur e superligës, ajo mes Dinamos dhe Teutës, ndeshje tjetër që Skënderbeut i intereson pasi Dinamo ndodhet një pikë më poshtë në tabelën e klasifikimit dhe është një tjetër ekip që lufton për FINAL FOUR.




 
 
bottom of page