Krijimi i Policisë së Shtetit si sot 111 vite më parë, bazuar në vizionin e Ismail Qemalit
- Jan 13, 2024
- 2 min read
Pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, krijimi i Policisë së Shtetit si sot 111 vite më parë, u bë bazuar në vizionin e Ismail Qemalit, themeluesit të shtetit, i cili në ditët e para të vitit 1913 porosiste Prefekturat dhe Bashkitë e vendit: “Përpiquni të siguroni sa më mirë qetësinë e vendit dhe rendin publik”.
Në vjetorin e krijimit, trupa e Policisë së Shtetit është rritur, modernizuar dhe gjithmonë e më shumë profesionale. Sot kemi një trupë profesionistësh, të papolitizuar me rezultate në parandalimin dhe reagimin për zbulimin e krimeve.
Në tërësi viti që lamë pas shënoi rezultate edhe më të mira në disa drejtime përsa i përket punës së Policisë së Shtetit e në veçanti Drejtorisë Vendore Korçë, ku shënohen rënie në shifrat e krimit, trafikimit të lëndëve narkotike dhe një zbulueshmërie të lartë të veprave penale për vitin 2023, me afërsisht 95% të totalit të tyre.
Qarku i Korçës është një destinacion i rëndësishëm në vend dhe në këtë drejtim nuk mund të mos përmendet roli i policisë në garantimin e sigurisë së qytetarëve. Vlerësim meriton puna e policisë edhe gjatë sezoneve të caktuara të vitit kur fluksi i hyrje-daljeve në pikat e kalimit kufitar rritet ndjeshëm.
Të gjithë efektivët e Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, por edhe të gjithë Shqipërisë, meritojnë padyshim vlerësime, sepse janë mbrojtësit e jetëve njerëzore, garantues të zbatimit të ligjit dhe gjithmonë në shërbim të qytetarëve dhe ruajtjes së rendit e qetësisë publike.
Shumë nderim e mirënjohje për Policinë e Shtetit, patjetër Drejtorinë Vendore të Policisë dhe drejtuesit e saj të përkushtuar, Drejtorin Vendor të Policisë së Korçës z. Gjovalin Loka dhe Drejtorin e Kufirit dhe Migracionit, z. Idajet Hoxha, pasardhësin e tij deri para pak kohë në detyrë z. Fatmir Hoxha, dy nëndrejtorët, shefat e komisariateve dhe të gjithë efektivët e qarkut tonë, që në këtë 111 vjetor të rrugëtimit të kësaj trupe përmes sukseseve e vështirësive, shpalosin profesionalizëm dhe vlera të larta njerëzore.
















