top of page

Presidenti i Devollit, Spartak Meraku merkato në Korçë…

  • Jul 8, 2024
  • 1 min read

Që prej muajit janar të këtij viti, ekipi i Devollit është me president të ri. Pikërisht Spartak Meraku ka marrë drejtimin dhe e mbylli sezonin në vendin e gjashtë.

Duket se për këtë sezon gjithçka do të jetë shumë më ndryshe në çdo drejtim. Pikërisht hapi i parë duket se është hedhur. Presidenti i këtij ekipi ka qenë në Korçë ditën e djeshme duke ndjekur ndeshjen test të korçarëve. Ai ka qenë nën shoqërinë e drejtuesve të klubit korçar dhe është interesuar për futbollistët që nuk do të jenë pjesë e Skënderbeut, për t'i afruar në ekipin e tij.

Meraku duket se ka merak, që sa më shpejt të afrojë të duhurit tek ky ekip dhe ka ndjekur nga afër disa prej tyre. Madje kohë më parë ka qenë edhe presidenti i korçarëve Ardjan Takaj që ka arritur një marrëveshje që të huazohen shumë prej talenteve të korçarëve që për momentin nuk kanë mundësi aktivizimi.

Ky bashkëpunim duket se do të japë frytet e veta dhe devollinjtë duket se kanë filluar që në këto momente të ndërtojnë një ekip ambicioz. Nga sa mësohet, Spartak Meraku kërkon të kthejë tek ky ekip një filozofi pune ndryshe dhe shumë shpejt gjithçka do të fillojë me prezantimin e stafit teknik, pra të trajnerit dhe gjithë strukturës ndihmëse të tij.

Madje është mësuar se ka pasur një takim pune edhe me ekzekutivin e këtij klubi Ermir Lukra për të biseduar për ndërtimin e ekipit të ri.




 

 

 
 
bottom of page