SKËNDERBEU 3 finalet e fundsezonit/ Pret Tiranën, shkon në Rrogozhinë vjen Bylisi!
- Apr 7, 2025
- 2 min read
Pas fitores së madhe që arriti Skënderbeu ditën e djeshme në Laç, Skënderbeu renditet në vendin e 6-të të tabelës së klasifikimit, një vend komod dhe që i jep të drejtë të shpresojë shumë që tashmë është një hap larg shpëtimit.
Gjithsesi kanë mbetur edhe tre finale të tjera, ku duket se edhe shorti favorizon Skënderbeun, tyeksa do të luajë dy ndeshje në shtëpi dhe një në transfertë. Ndoshta edhe me 6 pikë të tjera, pra dy fitore Skënderbeu siguron përfundimisht jo vetëm shpëtimin, por edhe të mos luajë në “play-out”, prandaj finalja e radhës, ajo e javës së 34-ër ndaj Tiranës është ndeshja më e rëndësishme e sezonit.
Në fundjavë mbi të gjitha vjen Tirana dhe përpos që është ndeshje e rëndësishme, sa herë vjen Tirana gjithë qyteti juglindor ngrihet më këmbë, pasi ka rivalitet jo vetëm në fushë, por edhe në tribuna. Në fundjavë spektakli është i garantuar dhe shkallët e stadiumit pritet të mbushen plot e përplot.
Tirana, ashtu siç e etiketojnë të gjithë në juglindje “minjtë”, do të jenë mysafirë dhe skuadra ka nevojë më shumë se kurrë për mbështetjen e lojtarit të 12-të.
Pas Tiranës radhën e ka Egnatia në Rrogozhinë, një ndeshje tjetër finale dhe që Skënderbeu edhe atë takim do ta luajë për “jetë a vdekje”.
Në javën e fundit vjen në juglindje Bylisi, një tjetër skuadër në zonën e ftohtë dhe shorti në këto 270 minuta të fundit flet për Skënderbeun. Gjithsesi të gjithë në kampin bardhekuq duhet të jenë me “këmbë në tokë”.
Kampionati dhe shpëtimi prej rënies akoma nuk është siguruar matematikisht.
Forca Skënderbe!
Tre ndeshjet e mbetura të Skënderbeut:
Java 34 Skënderbeu-Tirana
Java 35 Egnatia-Skënderbeu
Java 36 Skënderbeu-Bylis
“KORÇA BOOM”
















