SKËNDERBEU sot mbyll përgatitjet anti-Partizan në Durrës. Bardhekuqtë gati!
- May 3, 2024
- 1 min read
Edhe 24 orë na ndajnë nga ndeshja e radhës e Skënderbeut, teksa nesër në orën 16:00 Skënderbeu do të luajë në transfertën ndaj Partizanit.
Nga ato ndeshje që kanë një rëndësi të madhe, mund të quhet ajo e ditës së nesërme, teksa Skënderbeu do të ketë përballë një kundërshtar jo fort të lehtë, edhe pse këtë sezon në tre përballje, dy fitore ka Skënderbeu dhe një ndeshje ka përfunduar në barazim.
Sot Skënderbeu do të mbyllë përgatitjet në resortin “Tropikal” në Durrës dhe pritet që seanca e fundit të startojë në orën 16:00, orë e cila do të luhet edhe sfida e ditës së nesërme.
E rëndësishme është që gjithë grupi i futbollistëve është i karikuar dhe te Skënderbeu janë të bindur që edhe nga kjo javë nuk dalin pa gjë.
Pikërisht sot Gvozdenoviç do të vendosë dhe mbi formacionin që do të reshtojë nesër në fushë, ndërkohë që ka ndonjë dilemë të vogël e cila do të vendoset nga vetë njëshi i stolit.
















