Tifozët korçarë thirrje lojtarëve: Skënderbe, munde për ne Tiranën!
- Sep 26, 2024
- 1 min read
https://sq.korcaboom.com/wp-content/uploads/2024/09/447484839_7612006022201797_71183060980739901_n.jpg
Nëse ka një ndeshje që tifozëria bardhekuqe do të kënaqet pafund nëse Skënderbeu fiton, është kjo e kësaj së diele në kryeqytet ndaj Tiranës.
Të dielën e 29 shtatorit në kryeqytet luhet Tirana-Skënderbeu, përballje e javës së 7-të të superligës, ndërkohë që tifozët korçarë sa herë luan skuadra e tyre e zemrës ndaj bardhebluve, duan që ekipi të marrë maksimalen në këtë 90 minutësh.
Edhe gjatë këtyre ditëve të fundit në stërvitje numri i tifozëve ka qenë i madh në mbështetje të ekipit, duke rritur edhe më shumë adrenalinën në radhët e futbollistëve.
Të dielën, përveç tifozëve korçarë që ndodhen në Tiranë dhe që do të jenë prezentë në shkallët e stadiumit, pritet që të udhëtojnë edhe tifozë nga qyteti juglindor, të gjithë në mbështetje të Skënderbeut.
Me pak fjalë futbollistët kanë një arsye më shumë që të japin shpirtin në fushë të dielën, kjo pasi tifozët tashmë duan që ekipi të dalë me fitore edhe pse luhet në transfertë.
Në miqësoren e verës që u zhvillua në stadiumin “Skënderbeu”, ku Skënderbeu barazoi 2-2 me Tiranën, kujtojmë që ishin të pranishëm 1 mijë tifozë.
Kjo do të thotë që edhe të dielën “ujqërit e dëborës” të jenë të shumtë në “Air Albania”.
Tashmë ju mbetet futbollistëve që të shpërblejnë tifozët: Ata duan fitore dhe ekipi duhet ta bëjë realitet dhe të plotësojë dëshirën e madhe të tifozëve korçarë.
REDAKTUAR nga:
“KORÇA BOOM”















