Ushtrim emergjence në strukturat e Centralit të HEC Moglicë
- Oct 27, 2023
- 1 min read
Pranë strukturave të HEC Moglicë u krye një ushtrim emergjence. Planifikimi i ushtrimit u realizua nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile ku i pranishëm ishte edhe Drejtori i Përgjithshëm z. Haki Çako, si dhe strukturat e emergjencave civile në Prefekturat Korçë dhe Elbasan, Bashkitë Maliq, Gramsh, MZSH Maliq dhe Gramsh, Komisariatet e Policisë Maliq dhe Gramsh, si edhe shoqëria Devoll Hydropower Sh.A. që operon Hidrocentralin e Moglicës.
Skenari parashikonte një ushtrim në shkallë të plotë si emergjencë zjarri në strukturën e nëndheshme të Centralit të HEC Moglicë, evakuimin dhe shpëtimin e personelit të mbetur në centralin nëntokësor.
Me anë të ushtrimit u praktikuan bashkëpunimi, trajtimi i përgjegjësive dhe procedurat e komunikimit midis institucioneve të ndryshme.
Ushtrime të tilla, konsolidojnë praktikën e gatishmërisë së reagimit në situata të emergjencave, shërbejnë edhe për të përforcuar bashkëpunimin ndër-institucional.
Centralet e prodhimit të energjisë elektrike përbëjnë infrastrukturë kritike në Shqipëri, ndaj edhe gatishmëria e reagimit në situata të emergjencave duhet të jetë optimale.
HEC Moglicë është hidrocentrali më i madh privat në Shqipëri. Ai është zhvilluar në zonën e bashkive Maliq, Korçë dhe Gramsh, përkatësisht në Qarkun e Korçës dhe të Elbasanit.
















