top of page

Vizito Vithkuqin, nga Lazjon Petri

  • Writer: Korca Boom
    Korca Boom
  • Nov 2, 2024
  • 2 min read

https://sq.korcaboom.com/wp-content/uploads/2024/11/vithkuqi-ftesa.jpg

Kjo e dielë e 3 Nëntorit na do t’u bashkohemi vithkuqarëve, që po organizohen e po bëjnë çmos, që atë trashëgimi aq të vyer të Vithkuqit, të mos e lemë jetime në detin e një morí paradokseve. Ndonëse me hidrocentralin e parë në Shqipëri, sot vithkuqarët përballen me shkëputje të shpeshta të dritave. Paçka se natyra rreth e përqark e përrallore, turizmi i kapitalizuar prej vlerave mjedisore, historike, kulturore dhe atdhetare të Vithkuqit, po e ndihmon komunitetin, në tangentin e tangentes së tangentes, të asaj që do të meritonin ata dhe të asaj që do të meritonte Korça. Mendoj se përgjegjës janë banorët e Vithkuqit, por jemi edhe të gjithë ne të tjerët. Shiko kalldrëmet e burimet që dikur bëheshin e mirëmbaheshin me fondet e kurbetllinjve, Vëllazërisë Vithkuqare e Vatrës, sot pse lihen në atë gjendje?

Vithkuqarët jetëgjatë të kaçkave dhe ushqimeve të shijshme, jetojnë mbi ujërat e Fejasit, Miçuçit, etj dhe Taret e Filot që s’e kanë për gjë të rrisin çmimin e ujit, duan t’u vënë sahate, si t’i vesh ariut në shpellë e t’i ndërtosh 1 derë, e t’i thuash që e kam për të mirën tënde. Po kishat e Vithkuqit, me afreske të nivelit të pikturave që gjetiu blihen bileta e mbahet rradhë për t’i parë, pse janë me dryn? Po vizionari dhe arkitrari i rilindjes sonë kulturore, Naum Veqilharxhi, që sot përmendet fare pak, e që nuk ka 1 shpi, sado që testamenti i veprës së tij është gjallë: mbrothësinë në e daçim, e kemi përmes arsimit e gjuhës, e cila duke u shkruar, lëvrohet e flitet lirisht e bukur. E megjithatë, shkolla e Vithkuqit pse të lëngojë, kur mund të ishte model kombëtar edukimi? Mirë që lihet jashtë programeve, si ai i 100 fshatrave, po çfarë subvencionime u bën ti për blegtori, bujqësi, turizëm gjithëvjetor? Sido që të jetë puna, Vithkuqi, herët apo vonë do të ngrejë krye dhe madje me dinjitet! Sepse Vithkuqi është dhe mbetet i njerëzve të ndershëm dhe punëtorë.

Siç është edhe Vithkuqi i 100 krojeve dhe 24 kishave; Vithkuqi i rezistencës prej diegieve famëkeqe të L2B; Vithkuqi i Naum Veqilharxhit; i Miove, i filantropisë Turtulli; Vithkuqi me varr pagëzimi; Vithkuqi i Shenjtorit Nikodhimi; Me potencial ekoturistik përmes shtigjeve Vithkuq-Berat e Vithkuq-Voskopojë; I bimëve mjekësore dhe çajit të Rungajës; Bukëvale, vajzë e valave. Vithkuqi sot rrëfen orvatjen e vithkuqarit Ilo Kovi, që i mbijetoi mbytjes së Titanikut. Le t’i japim 1 dorë.

REDAKTUAR nga:

“KORÇA BOOM”

bottom of page