VOLEJ FEMRA/ Bac, u kry! Skënderbeu vishet me “flori”. Titulli kampion kthehet në shtëpi
- Apr 28, 2024
- 3 min read
Skënderbeu-Tirana 3-1 (3-0)
(17-25, 25-20, 25-17, 25-23)
E meritonte mbrëmë në pallatin e sportit “Tamara Nikolla” skuadra korçare, shprehjen: Bac, u kry! Dhe vërtet u krye!
Titulli kampion përfundimisht u kthye në shtëpi, atje ku e ka vendin, sepse Skënderbeu e meritoi dhe këtë e thotë gjithë Shqipëria.
Nga mbrëmë volejbolli ka kampionen e re, Skënderbeun, skuadrën më të mirë, skuadrën më të bukur dhe skuadrën më të ëmbël në volejbollin e femrave. Një supersezon dhe një shpërblim në fund me këtë fitore të mbrëmshme që do të mbahet mend gjatë.
Ndaj Tiranës ishte fitorja e tretë kjo e mbrëmshme dhe 3 finale, të treja flasin për Skënderbeun. Por, si ka qenë ndeshja e mbrëmshme:
Seti i parë i ndeshjes fillon me barazimin 2-2. Ndërkohë pas këtij momenti janë miket nga Tirana që marrin kyesimin 2-3 dhe më pas e thellojnë në 3-7. Skënderbeu përpiqet, por duket sikur e ka të vështirë në këto momente të para të setit të parë, pasi edhe më tej Tirana kryeson 5-10 ku Koja e ka marrë pushimin e parë. Edhe pas pushimit janë bardheblutë që janë të sakta dhe Skënderbeu nuk mundet të afrohet. 7-14 shënon tabela elektronike dhe Orlando Koja merr shpejt edhe pushimin e dytë dhe të fundit për këtë set të parë. Sërish Skënderbeu nuk bën dot gjë dhe duket se vajzat bardhekuqe janë të bllokuara pa dalë dot në lojë dhe rezultati shkon në 10-18, me një diferencë prej 8 pikësh për miket. Tirana ruan ritmin dhe pranë fundit shkon në 17-23 dhe më pas mbyll setin e parë 17-25 në favorin e vet duke kryesuar 0-1.
Seti i dytë nis me avantazhin e Skënderbeu 3-2. Më pas diferencat janë të ngushta, por në favor të Skënderbeut, 6-5. Skënderbeu tregohet më i kujdesshëm dhe 10-8 diferenca e parë prej dy pikësh në këtë set të dytë. 12-9 për Skënderbeun dhe kemi pushimin e parë për Tiranën. Më tej Skënderbeu nuk fal duke kyesuar 16-12 dhe më pas 19-15. Skënderbeu shkon drejt fitores së këtij seti, 23-16 dhe më pas 23-18 dhe mbyll setin e dytë 25-20, duke barazuar rezultatin e seteve në 1-1.
Seti i tretë tashmë ka për protagonist Skënderbeun që fillon që në start me shifrat 3-1 dhe më pas 8-4 po për vendaset duke detyruar Tiranën të marrë pushimin e parë. Në pikët në vazhdim pikërisht kur rezultati ishte 12-9 vjen edhe pushimi i dytë i shpejtë po për Tiranën, ndërkohë që Skënderbeu kthehet me diferencë në parket 16-12 dhe më pas bindshëm fiton 25-17 këtë set dhe gjendja e seteve shkon në 2-1 për Skënderbeun.
Në setin e katërt është Tirana që bën kthesën që në start, pasi kryeson 1-4 dhe që në këtë moment detyron Orlando Kojën të marrë pushimin e parë. Edhe pushimi nuk bën punë pasi Tirana kryeson thellë 3-10 dhe sërish një tjetër pushim për trajnerin e Skënderbeut. Skënderbeu përpiqet të mos e lërë Tiranën të shkëputet dhe dhe 10-15. Me tifozët e shumtë në mbështetje maksimale Skënderbeu afrohet në 16-19 dhe barazon shifrat vetëm në dy pikët e fundit 23-23. Pas këtij momenti nuk ka histori dhe 25-23 dhe Skënderbeu e mbyll krejt ndeshjen 3-1, duke siguruar fitoren e tretë në tre finalet ndaj Tiranës.
Më pas ka festë, ka ekzaltim në parket dhe në shkalëlt e pallatit të sportit, pasi Skënderbeu rikthehet te fitutlli kampion. Më shumë se gëzimi, emocionet, Skënderbeu mbrëmë ka festuar gjatë, me meritë dhe me trofeun e tretë në këtë sezon. Kupës së Shqipërisë, Ligës “Gjergj Kastrioti” i shtohet tashmë edhe trofeu i titullit kampion. Më mirë se kaq nuk mund të shkonte.
Urime vajza! Urime stafit teknik! Urime tifozëve!
BAC, U KRY!
Finalet e sezonit
Finalja 1 Skënderbeu-Tirana 3-0
Finalja 2 Tirana-Skënderbeu 1-3
Finalja 3 Skënderbeu-Tirana 3-1
















