top of page

VOLEJ FEMRA/ Trajneri i Pogradecit Besnik Lisha shfaq hapur pretendimet, edhe pse...

  • Apr 11, 2025
  • 1 min read

Pogradeci ka humbur ndeshjen e parë të play-off-it ndaj Skënderbeut, në një takim që e ka nisur shumë mirë duke fituar setin e parë. Më pas, janë korçaret ato që fitojnë tre sete radhazi. Edhe pse ndeshja përfundoi në favor të Skënderbeut, trajneri i pogradecareve, Besnik Lisha, shprehu bindshëm besimin e tij:


“Ne erdhëm në këtë ndeshje vetëm për të fituar. Në mentalitetin tim, dua të fitoj çdo ndeshje, pavarësisht se kundër kujt luajmë. Unë them se ishte çështje përvoje, nuk i menaxhuam mirë setet e tjera. Gjithsesi, gjithçka për mua mbetet e hapur.”



Duket qartë se Lisha dhe vajzat e tij kanë pretendime të mëdha. Realisht, edhe vetë arritja deri në këtë fazë të “final four”-it është një sukses i padiskutueshëm. Bëhet fjalë për një ekip që vjen nga një kategori më e ulët dhe arrin të konkurrojë mes më të mirëve, gjë që flet shumë për punën e bërë deri tani.


Megjithatë, Lisha nuk i mohon emocionet që përjetoi përballë ish-ekipit të tij. Ai shtoi:

“Natyrisht që e njoh këtë ekip, pasi e kam drejtuar më parë. Vërtet, kur luan në Korçë, përballë këtij publiku të madh, është emocion më vete.”


Skuadra korçare, përveç kualitetit, ka dhe më shumë përvojë, gjë që sipas trajnerit e ndihmoi të fitonte këtë ndeshje.


Tani mbeten edhe dy takime për të përcaktuar finalistët. Ndeshja e radhës në Pogradec pritet të jetë vendimtare. Nëse Skënderbeu fiton sërish, gjithçka mbyllet. Në të kundërt, do të zhvillohet një ndeshje e tretë që do të vendosë se kush do të shkojë në finalen e madhe.



“KORÇA BOOM”



 
 
bottom of page