Darda Dhimo mbetet një shembull frymëzimi për shumë njerëz
- Korca Boom
- Mar 11
- 2 min read
Disa njerëz jetojnë shumë vite, por lënë pak gjurmë pas vetes. Të tjerë, ndonëse jetojnë pak vite, ndikimi i tyre është i përjetshëm. Darda Dhimo ishte njëra prej tyre. Megjithëse vetëm 19 vjeç kur u nda nga jeta, ajo mbetet një shembull frymëzimi për shumë njerëz, për shkak të forcës, optimizmit dhe guximit që tregoi përballë leuçemisë akute.
Diagnoza e saj erdhi papritur, gjatë një përpjekjeje për të dhuruar gjak për fëmijët me talasemi. Testet zbuluan nivele të ulëta hemoglobine dhe kështu filloi një betejë që askush nuk e kishte parashikuar.
Megjithë diagnozën e rëndë, Darda u bë një dritë shprese për të tjerët. Përmes fjalëve të saj, ajo inkurajoi të tjerët të shijonin jetën, pavarësisht vështirësive. Më 31 gusht 2023, ajo ndau këtë mesazh të veçantë:
“Ju lutem, shijoni çdo ditë si dhuratë nga Zoti. Shijoni mëngjesin kur zgjoheni dhe ndjeni mushkëritë tuaja duke u mbushur me oksigjen. Vlerësoni shëndetin tuaj dhe çdo moment me familjen dhe miqtë tuaj. Fatkeqësisht, nuk mund ta bëj asnjë nga këto që kur u sëmura. Prandaj, ju lutem bëjeni për mua.”
Gjatë periudhës së trajtimit, Darda ruajti një besim të thellë te Jezusi dhe një dëshirë të palodhur për jetën. Ajo shijonte edhe momentet më të vogla, si perëndimi i bukur i diellit që shihte nga dritarja e spitalit.
Aftësia e saj për të gjetur dritë edhe në errësirë, bashkë me mesazhet e shpresës dhe durimit, e bën Dardën një model frymëzimi për shumë njerëz. Edhe pse ajo e humbi betejën me sëmundjen, trashëgoi një dritë shprese, besimi dhe guximi që do të mbahet mend përgjithmonë.
Disa njerëz jetojnë pak vite, si Darda, por lënë një shenjë të përjetshme, një shembull frymëzimi për të gjithë ne që të vlerësojmë jetën dhe të jetojmë çdo ditë, jo vetëm për veten tonë, por të përkushtuar ndaj Jezusit dhe si frymëzim për të tjerët.
Faleminderit Darda e shtrenjtë! Ti nuk je më fizikisht mes nesh, por trashëgimia jote mbetet një dritë e pashuar në kujtesën dhe zemrat tona.
“KORÇA BOOM”



















