top of page

Zamira Kita: Gabimet që nuk ia fal vetes dhe dashuritë që nuk do t’i ndryshonte

  • 5 hours ago
  • 2 min read

Aktorja e njohur Zamira Kita ishte e ftuar këtë të diel në emisionin “Interview” me Mirela Milori në Euronews Albania, ku ndau me publikun momente të veçanta nga jeta dhe hapat e parë në karrierën artistike.


Ajo rrëfeu se lidhja me skenën ka nisur që në fëmijëri, falë babait të saj, i cili ka qenë pjesë e teatrit të estradës. Ishte pikërisht ai që e ngjiti për herë të parë në skenë, në disa premiera të organizuara në kombinatin e trikotazhit ku punonte.


“Talentit ia kam parë fillimin te babi. E shihja si punonte, si mësonte skeçet në tavolinë dhe më pas i luanim në skenë. Aty më lindi një dashuri shumë e madhe për teatrin”, u shpreh ajo.


Kita tregoi se që në klasë të parë recitonte poezi para klasës dhe shpesh mësueset e vendosnin mbi katedër për të interpretuar. Megjithëse shumë fëmijë e shfaqin talentin herët, ajo theksoi se ndryshe nga të tjerët, nuk e humbi kurrë dëshirën për t’u bërë aktore.


Aktorja foli edhe për vështirësitë gjatë periudhës së komunizmit, duke theksuar se ka qenë me fat që arriti të ndiqte studimet, pavarësisht “biografisë së keqe”. Pas diplomimit dhe ndryshimit të sistemit, ajo nisi menjëherë rrugëtimin profesional në aktrim.


“Kam qenë me fat që e bëra shkollën. Ajo ma ka zgjedhur jetën. Edhe pse shkova katër vjet në fshat, unë isha e diplomuar dhe më pas i hyra rrugës sime”, tha ajo.


E pyetur se çfarë do t’i thoshte vetes 20-vjeçare, Kita u shpreh se do ta këshillonte të ishte më e kujdesshme për disa gabime. Ajo pranoi se nga disa prej tyre ka mësuar dhe nuk i ka përsëritur, ndërsa për disa të tjera ende nuk e fal veten. Megjithatë, theksoi se nuk do të ndryshonte disa njohje të rëndësishme në jetën e saj, përfshirë edhe bashkëshortin.

"KORCA BOOM"


bottom of page