Zbulohen dokumentet sekrete të CIA-s: Një rivalitet mes Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehu është i parëndësishëm, pasi të dy kontrollohen nga Kremlini
Shërbimi sekret amerikan për vite e vite të tëra luftoi që të rrëzonte regjimin komunist në Shqipëri, por pavarësisht përpjekjeve nuk ja doli dot të bënte një gjë të tillë. Mirëpo në vitin 1951, amerikanët nisën të tërhiqeshin disi, pasi i druheshin një lëvizje nga fqinjët, sidomos Greqia e Italia. Sipas një dokumenti të de klasifikuar nga CIA, ata kishin frikë se nëse rrëzohej regjimi i Enver Hoxhës, do mund të kishte një ndërhyrje ushtarake nga fqinjët. Për këtë arsye, me ndihmën dhe të Britanisë së Madhe nisën negociata me fqinjët, për të parandaluar një gjë të tillë. Nga ana tjetër në dokument tregohen dhe interesat që kishte Bashkimi Sovjetik për vendin tonë.
20 qershor 1951
Subjekti: Pavarësia e Shqipërisë
1.Problemi
Nëse pushteti i brendshëm do të shembej apo nëse Jugosllavia do të sulmohej nga Cominform, ajo do të pushtonte Shqipërinë dhe të njëjtën gjë do të bënte edhe Greqia. Meqenëse jugosllavët e kanë prekur pak subjektin e bashkëpunimit me Greqinë, dhe grekët janë konsultuar me SHBA-ës, duke bërë që rrjedhimisht të kërkohet edhe konsultimi me britanikët, Britania dhe SHBA-ja nëse dëshirojnë që Shqipëria të mbetet e pavarur duhet të kërkojnë nga Greqia dhe Jugosllavia garanci që pushtimi i tyre do të jetë I përkohshëm.
Ndërsa nëse pavarësia e Shqipërisë nuk është më e rëndësishme, përpjekjet tona duhet të fokusohen vetëm në parandalimin e një përplasjeje mes forcave të dy vendeve pushtuese. Gjenerali britanik do të preferonte një Shqipëri të pavarur miqësore me Perëndimin, por kjo jo me koston e dobësimit të Greqisë, apo Jugosllavisë. Ai dëshiron gjithashtu një linjë të aprovuar demarkacioni kufitar mes dy vendeve.
Faktet e mëposhtme argumentojnë për në favorizim të pavarësisë:
Arsyet etnike dhe historike
Ekzistenca e Komitetit Kombëtar të “Shqipërisë së Lirë”
Vështirësitë e një zgjidhjeje alternative dhe konflikti i mundshëm mes vendeve të interesuara si
Greqia e Jugosllavisë
Faktet kundra pavarësisë:
Vogëlsia dhe paqëndrueshmëria si shtet, që të bën të mendosh nëse do të ishte më mirë si një republikë e federatës së Jugosllavisë. Kjo mund të ishte e pranueshme për Jugosllavinë e madje edhe për Greqinë. Shqiptarët mund të distancoheshin nga Italia, por meqenëse jugosllavët po orientohen drejt Perëndimit kjo nuk do të ishte një zgjidhje shumë e papranueshme për popullsinë shqiptare.
Kjo mund të kryhet edhe me supozimin se Shqipëria do të vazhdojë të jetë e pavarur
Rekomandime:
Sa më parë të nxiten jugosllavët dhe grekët të mos hyjnë në Shqipëri nëse sulmohen nga satelitët e BRSS-së, por nëse e bëjnë, të pranojnë një linjë kufitare.
Sapo të nisin veprimin të deklarojnë publikisht se pushtimi është i përkohshëm.
Të këshillohen vendet se nëse regjimi bie, ne dëshirojmë të konsultohemi për regjimin pasues, me ta dhe me italianët.
Interesat jugosllave
Serbia kundërshtoi parimisht pavarësinë e Shqipërisë në vitin 1912 deri në 1918. Pas Luftës së Parë Botërore, jugosllavët pushtuan Shqipërinë deri në vitin 1921, ndërsa në vitin 1926 Jugosllavia pranoi kufirin shqiptar të përcaktuar në 1913. Deri në shpërthimin e Luftës së Dytë Botërore, dominimi Italian e pengoi Jugosllavinë të ushtronte influencë. Por situata ndryshoi shumë gjatë Luftës së Dytë Botërore kur regjimi i Titos me anë të komunistëve shqiptarë miro kontrollin e Lëvizjes Kombëtare Çlirimtare.
Tito ushtronte kontrollin me anë të emisarëve të tij në Ushtrinë Çlirimtare Shqiptare dhe prej vitit 1944 deri më 1948 Shqipëria ishte një kukull e Jugosllavisë. Në vitin 1948 Hoxha e ndau vendin nga varësia prej Jugosllavisë pas konfliktit mes regjimit të Titos dhe Kominform (Zyrës Ndërkombëtare të Informacionit të Vendeve Komuniste). Prej vitit 1948 Tito mbrojti parimin e një Shqipërie të pavarur e sovrane, duke dënuar pretendimet greke për ndarjen e Shqipërisë mes Greqisë dhe Jugosllavisë.
Jugosllavia i trembet më shumë rivendosjes së influencës italiane në Shqipëri. Në muajt e fundit, mjetet jugosllave të propagandës kanë akuzuar Italinë për inkurajim të planeve etnike shqiptare të përfshirjes së Kosovës dhe Metohisë në Shqipërinë e pavarur, me anë të grupeve të shqiptarëve të emigracionit atje. Qëllimi i Titos duket se është krijimi i një regjimi anti-sovjetik në Shqipëri dhe rikthim i statusit të saj të viteve 1944-48.
Me sa duket për këtë qëllim i krijua në Jugosllavi në maj 1951, Lidhja e Refugjatëve Politikë Shqiptarë në Jugosllavi. Lidhja pretendon të përfaqësojë rreth 5000 shqiptarë në Jugosllavi dhe kontrollohet nga komunistët që u larguan nga Shqipëria pas vitit 1948. Ajo është krijuar nga Beogradi si një instrument i politikave jugosllave dhe ka si objektiv të deklaruar një Shqipëri “të lirë, të pavarur, të pandashme, demokratike e republikane”.
Lidhja ka kryer disa operacione spiunazhi, kabotazhi dhe propagande, dhe zotëron potencial për operacione më të gjera. Por është ndoshta pozita e ekspozuar aktualisht e Jugosllavisë pas ndarjes me BRSS, ka penguar Titon të përdorë Lidhjen me fuqi të plotë. Zyrtarët jugosllavë kanë thënë se përpjekje serioze për përmbysjen e regjimit të Hoxhës, mund të bëhen pretekst për Bashkimin Sovjetik për veprime ushtarake ndaj Jugosllavisë.
Rëndësia e Shqipërisë për rusët
Politikisht, Shqipëria është e rëndësishme për sovjetikët si një tempull i komunizmit në Ballkan e në Mesdhe. BRSS-ja do ta konsideronte humbjen e saj si humbje të prestigjit, veçanërisht pas dezertimit të Jugosllavisë. Por megjithëse ka një pozicion strategjik në hyrje të detit Adriatik, kushtet moderne për zhvillimin e kapaciteteve të saj ushtarake janë të vogla.
Ishulli i Sazanit ka qenë një bazë e vogël nëndetësesh italiane dhe sipas disa zhurmave edhe sovjetikët po përpiqen të rindërtojnë këto baza pas luftës. Ka raportime të pakonfirmuara për rindërtim të fushave ajrore nga sovjetikët. Shqipëria ka një pozicion të mirë për instalime paralajmëruese të mbrojtjes ajrore, por deri tani nuk ka prova të instalimit të radarëve sovjetikë.
Që prej distancimit të saj nga Jugosllavia, Shqipëria ka humbur rëndësinë e saj strategjike për arsye të mungesës së komunikimit me orbitën sovjetike. Por ajo mund të jetë e rëndësishme për një fushatë tokësore në Ballkan, pasi operacione të mundshme në bashkëpunim me Bullgarinë, nëse janë të suksesshme mund të ndajnë Greqinë nga Jugosllavia.
Stabiliteti i regjimit dhe masa e kontrollit sovjetik
Para përçarjes mes Jugosllavisë dhe Cominform në vitin 1948, Shqipëria ishte e lidhur ngushtë politikisht dhe ekonomikisht me Jugosllavinë. Por në vend që të ndiqte devijimin e marshallit Tito, Hoxha zgjodhi kampin e Moskës dhe nisi një fushatë të ashpër kundër nacionalistëve shqiptarë. Ai jo vetëm e përjashtoi vendin nga lidhjet me Jugosllavinë, por me këtë rast zhduku të gjithë konkurrencën për pushtet brenda Shqipërisë.
Një rivalitet mes Hoxhës dhe ministrit të brendshëm Mehmet Shehu duket se është i parëndësishëm pasi të dy kontrollohen nga Kremlini. Shqipëria është totalisht e varur nga ndihma sovjetike. Pa të ekonomia e vendit do të tronditej brenda disa muajve. Kontrolli sovjetik në vend përforcohet nga rreth 1000 deri në 1500 “ekspertë” në pozicione të rëndësishme si ushtri, polici, administratë civile dhe në radhët e partisë.
Me mbështetjen sovjetike Hoxha dhe Shehu kanë qeverisur vendin deri tani me metodat policore të terrorit dhe me kontrollin e ashpër ekonomik. Megjithëse ka prova mungese besnikërie dhe oportunizmi në radhët e forcave të sigurisë dhe ushtrisë, ato kanë rezultuar efektive në shtypjen e opozicionit. Mbështetja sovjetike në Shqipëri nuk është shoqëruar me një pakt të përbashkët asistence, ndoshta ngaqë Sovjetikët duan të lënë një situatë të hapur pa përkushtime që mund t’i vënë më vonë në siklet.
Shqipëria ka një pakt të tillë vetëm me Bullgarinë (16 dhjetor 1947). Por gjithsesi ndonjë ndryshim në situatën shqiptare që mund të kërcënojë kontrollin e Kremlinit do të prekte menjëherë prestigjin sovjetik, në një moment ku edhe një satelit tjetër iu shmang urdhrit të tij. Prandaj një zhvillim i tillë do të sillte përkeqësim të situatës ndërkombëtare. Veprimi sovjetik në rast të një zhvillimi të tillë do të varej nga përparësitë e strategjisë së tyre botërore.
Konkluzione
Pengesat sovjetike për aksesin e SHBA-së te Shqipëria nuk kanë shkaktuar disavantazhe strategjike apo ushtarake të rëndësishme. Burimet ekonomike të vendit kanë vetëm avantazhe lokale të kufizuara. Aksesi në terren, i cili është një bregdet i gjerë parësor në Ballkan, në rast konflikti madhor do të ishte gjithashtu i parëndësishëm për arsye të mungesës së porteve të përshtatshme, pistave ajrore dhe komunikimeve të dobëta në vend.
Po ashtu, kontrolli sovjetik ndaj Shqipërisë i jep asaj vetëm një avantazh të dobët në rast konflikti madhor. Burimet ekonomike të vendit nuk mund të arrihen me rrugë tokësore, dhe zhvillimi i tyre do të kërkonte investime të mëdha në njerëz dhe makineri, që do të ishin jashtë proporcioni në lidhje me përfitimet, prandaj edhe BRSS nuk mund t’i kryejë.
Megjithëse përdorimin i bazave të avancuara së nëndetëseve apo aeroporteve të përshtatshme do të kishte avantazhe në kohë lufte, vendet e mundshme për to janë të kufizuara në numër dhe kapacitet, dhe do të ishin të papërdorshme përballë një force ushtarake superiore ajrore apo detare. Dhe në fakt, rëndësia e Shqipërisë për Fuqitë e Mëdha është kryesisht negative dhe përbëhet nga mundësitë për përdorim si bazë guerile për ngacmime ushtarake në operacionet e mëdha.
Pozita e SHBA-së mbi pavarësinë e Shqipërisë
SHBA-ja vazhdon të ketë si objektiv ruajtjen e Shqipërisë si shtet i pavarur dhe miqësor ndaj Perëndimit. Çdo politikë që ka si qëllim zhdukjen e pavarësisë së Shqipërisë apo ndarjen mes Jugosllavisë e Greqisë, nuk do të mbështetet. Arsyet kryesore për këtë janë si më poshtë: Populli shqiptar ka një karakter të tijin dhe ndjenja të forta për pavarësinë. Për më tepër, ai ka qenë një vend, të paktën nominalisht i pavarur që prej vitit 1912. E drejta e shqiptarëve për të qenë të pavarur është njohur dhe mbështetur në shumë deklarata publike të qeverisë së SHBA, dhe gjithashtu nga Britania.
Nëse nuk do të kishte një Shqipëri të pavarur, nuk duket se ka tjetër mënyrë për zgjidhjen e konfliktit territorial mes Jugosllavisë, Greqisë e Italisë në këtë zonë strategjike, e cila prek sigurinë e të tjerëve. Asnjë prej këtyre shteteve nuk do të mbështesë vendosjen e influencës së rivalëve të tyre në këtë rajon, dhe asnjë marrëveshje për ndarjen nuk ka gjasa të jetë e qëndrueshme dhe e përhershme. Dorëzimi i Shqipërisë te një apo më shumë vende fqinje do të mbjellë farën e problemeve minoritare që mund të minojnë sigurinë e rajonit
Veprimet diplomatike
Mbështetja që i kemi dhënë Komitetit Kombëtar për “Shqipërinë e Lirë”, është bërë me supozimin se Shqipëria e pavarur është e rëndësishme për interesat amerikane. Veprimet që neglizhojnë të drejtën e Shqipërisë për pavarësinë, përveç faktorëve moralë dhe vështirësisë së justifikimit para opinionit publik, do t’i jepnin një armë të fuqishme propagande qeverisë sovjetike dhe kukullave të saj në qeverinë shqiptare.
Por gjithsesi mund të jetë e nevojshme pranimi i disa masave të kombeve fqinje për ndërhyrje të armatosur në rast të nisjes së luftimeve në Ballkan. Qeveria e SHBA-së beson se vazhdimi i përpjekjeve diplomatike dhe rrugëve të tjera duhet të kenë si qëllim një Shqipëri të pavarur dhe miqësore me Perëndimin, por në të njëjtën kohë duhet të jemi vigjilentë për ruajtjen e politikave dhe interesave amerikane në rajon dhe ruajtjen e marrëdhënieve të mira me Italinë, Greqinë e Jugosllavinë.
Besohet se qëllimi i dëshiruar është kalimi nga një Shqipëri e dominuar nga sovjetikët drejt një vendi të lirë e të pa dominuar nga vendet fqinje, që do të ketë mbështetjen e përgjithshme të Perëndimit. Masat që do të merren në këtë drejtim duhet të koordinohen mes qeverive amerikane e britanike, dhe sipas rastit edhe të qeverive të tjera perëndimore.
Nxitja e konflikteve të brendshme
Siç është konceptuar prej fillimit, projekti për Shqipërinë ka një objektiv minimal, nxitjen e konfliktit të brendshëm në Shqipëri, me qëllim reduktimin e aftësisë së saj për mbështetjen e grupeve guerile në Greqi, dhe objektiv maksimal përmbysjen e regjimit Hoxha. Aktualisht kemi një koordinim të ngushtë të politikave me britanikët, por jo angazhim operacional. Që prej aprovimit të projektit, kanë ndodhur dy ndryshime madhore të situatës ndërkombëtare: ndalimi i luftës guerile në Greqi dhe përkeqësimi i marrëdhënieve mes Titos dhe vendeve sovjetike.
Rritja e presionit të Kremlinit ndaj Titos ka sjellë ndryshime në politikat e SHBA-së, e cila dëshiron që të ruajë regjimin e Titos si një bllok pengues i influencës sovjetike në rajon. Ndryshimet e fundit kanë sjellë zhvendosje edhe në kushtet bazë të projektit dhe rishikim të objektivave të tij. Kështu, më 6 shtator 1949, Departamenti i Shtetit dhe Ministria e Jashtme britanike vendosën se objektivi maksimal i përmbysjes së regjimit në Shqipëri, duhej braktisur për momentin.
Qendër propagande nga Greqia
Përveç stabilimentit thuajse të hapur të propagandës së përmendur më sipër, OPC-ja ka krijuar dhe një qendër propagande në Greqi për përgatitjen e propagandës së “zezë” dhe “gri”, për Shqipërinë dhe Bullgarinë. Kjo qendër aktualisht ka në dispozicion edhe dy transmetues radio me valë të shkurtra, të lëvizshëm që pritet të nisin transmetimet në shtator. Përveç këtyre, një transmetues me valë të mesme është instaluar në një mjet detar që lundron në Detin Jon ose Adriatik, që përdoret për transmetime propagande në Shqipëri.
Anija është me bazë në Greqi dhe e aftë të operojë për periudha prej dy javësh, përpara se të kthehet në bazë për furnizime. Transmetimet nga kjo anije pritet të nisin në fund të vjeshtës, mundësisht në 15 nëntor. Si një shtesë ndaj transmetuesve të anijes dhe dy transmetuesve të lëvizshëm po nisin prokurimet edhe për një transmetues tjetër me valë të mesme prej 50 kilovat, që do të ketë një fuqi më të madhe se aparaturat e përmendura më sipër./ Memorie.al
“KORÇA BOOM”
















