top of page

Adriana Kalaja: Betejën morale e fitova me ju

  • Writer: Korca Boom
    Korca Boom
  • 3 days ago
  • 2 min read

Të nderuar miq,

Së pari, dua t’ju shpreh mirënjohjen time më të thellë për mbështetjen e pakufishme dhe të pakushtëzuar që më keni dhënë këto ditë, duke treguar se shpirti i reagimit ndaj padrejtësive është ende gjallë, nga çdo drejtim që ato vijnë.

Së dyti, nga mijëra statuset dhe mesazhet që kam lexuar apo më keni dërguar – shumë prej të cilave u janë drejtuar edhe drejtuesve të Partisë Demokratike – ju ndikuat realisht në strategjinë e saj, duke e çliruar nga akuzat e panevojshme dhe duke e vendosur në rrugën e duhur.


Së treti, në këtë debat publik ju luftuat sikur të ishte padrejtësi ndaj secilit prej jush, sepse kështu u perceptua.

Së katërti, reagimi juaj, përtej çdo imagjinate, konfirmoi se të drejtat nuk dhurohen – ato fitohen duke mos heshtur, por duke bërë zërin tuaj të dëgjohet fort.

Së pesti, pavarësisht se si do të shkojë votimi sot, unë e kam fituar betejën morale. Populli, me një “referendum” moral, më zgjodhi Avokaten e tij – një praktikë të cilën do ta propozoj si ligj më vete nëse zgjidhem Avokate e Popullit.


Së gjashti, zotohem se ashtu siç kam qenë Avokatja juaj pa mandat, ashtu do të jem edhe nëse zgjidhem nga Kuvendi, duke e trajtuar çdo padrejtësi si shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut të garantuara nga Kushtetuta, pavarësisht se nga kush vjen.

Së shtati, do të ushtroj kompetencat e institucionit në çdo cep të vendit ku konstatoj shkelje të të drejtave apo lirive themelore.


Së teti, këtë mision do ta zgjeroj edhe në bashkëpunim me organizatat partnere ndërkombëtare, për çdo shtetas shqiptar emigrant, kudo që jeton apo punon.

Së nënti, do t’i drejtohem Gjykatës Kushtetuese për çdo ligj që bie ndesh me interesat tuaja apo me të drejtat dhe liritë themelore të njeriut të garantuara me Kushtetutë.

Së dhjeti, ftoj mazhorancën të më votojë, sepse pushteti nuk është i përjetshëm, dhe nesër – në opozitë – do të donit një Avokate të Popullit që mbron qytetarët pa kompromis.

Me përulje të thellë,Avokatja juaj e përhershme kundër çdo padrejtësie, pavarësisht nga vjen.

"KORCA BOOM"

ree

bottom of page