top of page

Benzina dhe nafta/ Ku janë çmimet më të larta dhe më të ulëta?

  • Apr 10
  • 2 min read

Ndërkohë, dje Bordi i Transparencës ka vendosur çmimet e reja për karburantet në Shqipëri.


Aksionet aziatike dhe çmimet e naftës u rritën këtë të premte përpara bisedimeve të shumëpritura midis SHBA-së dhe Iranit në Islamabad, të cilat mund të përcaktojnë nëse Ngushtica e Hormuzit rihapet për ngarkesat e papërpunuara shumë të nevojshme.


Ndërkohë ekzistojnë dallime të mëdha në çmimet e karburanteve midis vendeve të Bashkimit Evropian, ndërsa në disa raste çmimet e naftës janë rritur edhe deri në 30 për qind.


Rritja e çmimeve është nxitur kryesisht nga zhvillimet gjeopolitike, veçanërisht tensionet dhe konfliktet në Lindjen e Mesme, që kanë ndikuar drejtpërdrejt në tregjet globale të naftës.


Si pasojë, çmimet e derivateve të naftës janë rritur ndjeshëm në të gjithë Evropën, shkruan Euronews.


Megjithatë, rritja nuk është e njëjtë në të gjitha vendet. Në disa shtete anëtare, çmimet janë rritur vetëm pak, ndërsa në të tjera janë rritur shumë më tepër. Kjo krijon dallime të mëdha mes vendeve të BE-së.

Një nga arsyet kryesore për këto dallime janë politikat fiskale kombëtare. Taksat mbi karburantet, përfshirë TVSH-në dhe taksat për emetimet e CO₂, ndryshojnë nga një vend në tjetrin dhe ndikojnë drejtpërdrejt në çmimin final që paguajnë qytetarët.


Në disa vende, si Gjermania apo Holanda, çmimet janë ndër më të lartat në Evropë, pjesërisht për shkak të taksave më të larta dhe politikave mjedisore më të rrepta.Nga ana tjetër, vende të tjera kanë arritur të mbajnë çmime më të ulëta falë taksave më të ulëta ose ndërhyrjeve të qeverisë për të kufizuar rritjen e çmimeve.


Në përgjithësi, tregu evropian i karburanteve po përballet me një periudhë paqëndrueshmërie, ku faktorët globalë dhe politikat kombëtare po krijojnë dallime të mëdha në çmime nga një vend në tjetrin.


Ndërkohë, dje Bordi i Transparencës ka vendosur  çmimet e reja për karburantet në Shqipëri.


Sipas vendimit, nafta do të tregtohet deri në 210 lekë/litër me pakicë, duke e ulur me 10 lekë në krahasim me një ditë mëpare dhe 198 lekë/litër me shumicë, ndërsa benzina deri në 173 lekë/litër me pakicë dhe 161 lekë/litër me shumicë.


Çmimet e reja kanë hyrë në fuqi dje në orën 14:30, dhe do të mbeten në fuqi deri në një vendim të ri. Autoritetet paralajmërojnë se çdo shkelje nga operatorët do të ndëshkohet deri në pezullim aktiviteti.


Sipas njoftimit, çmimet aktuale janë nën kufirin e përcaktuar nga akti normativ, çka do të thotë se akciza do të aplikohet në nivel të plotë, 100%./ Pamfleti

“KORÇA BOOM”


bottom of page