top of page

Bllokim dhe gjoba deri në 50%, rregullat e reja për paratë në kufi

  • 4 hours ago
  • 1 min read

Qytetarët që kalojnë kufirin me më shumë se 10 mijë euro cash pritet të përballen me rregulla dhe kontrolle më të rrepta, sipas një projektligji të ri për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit.


Sipas draftit, deklarata për paratë cash duhet të përmbajë të dhëna të plota për mbajtësin e shumës, pronarin e saj dhe marrësin e synuar. Kjo synon rritjen e transparencës dhe gjurmueshmërisë së lëvizjes së parave në kufi.


Në rastet kur paratë janë të pashoqëruara, autoritetet doganore mund të kërkojnë deklarim brenda 30 ditësh dhe, deri në plotësimin e këtij detyrimi, kanë të drejtë t’i bllokojnë përkohësisht. Po ashtu, doganat mund të kryejnë kontrolle të individëve, bagazheve dhe mjeteve të transportit për të verifikuar përmbushjen e detyrimeve ligjore.


Edhe kur shumat janë nën pragun 10 mijë euro, nëse ekzistojnë dyshime se paratë lidhen me veprimtari kriminale, autoritetet mund t’i regjistrojnë të dhënat dhe të vendosin bllokim të përkohshëm deri në 30 ditë, me mundësi zgjatjeje deri në 90 ditë pas vlerësimit të rastit.


Projektligji parashikon gjithashtu masa ndëshkuese për mosdeklarim, me gjoba që variojnë nga 30% deri në 50% të shumës mbi kufirin e lejuar, në varësi të vlerës totale të parave.


Në rastet kur ka dyshime të arsyeshme për pastrim parash apo financim të terrorizmit, çështja i kalon organeve të drejtësisë brenda 72 orëve për hetime të mëtejshme. Këto ndryshime synojnë forcimin e kontrollit financiar dhe luftimin e aktivitetit të paligjshëm.

“KORÇA BOOM”


bottom of page