Botërori i rekordeve, golave, spektaklit, shpejtësisë dhe miliona tifozëve në stadiume
- 2 hours ago
- 2 min read
Kjo Kupë Bote po hyn në histori jo vetëm për emocionet në fushë, por edhe për rekordet e shumta që janë vendosur gjatë turneut. Golat e shumtë, ritmi i lartë i lojës, shpejtësia e futbollistëve, stadiumet e mbushura dhe ndikimi i jashtëzakonshëm në rrjetet sociale e kanë bërë këtë edicion një nga më spektakolarët ndonjëherë.
Për herë të parë në historinë e fazave finale të një Botërori, tre futbollistë kanë shënuar të paktën shtatë gola. Lionel Mesi kryeson listën me tetë realizime, ndërsa Kilian Mbape dhe Erling Haland e ndjekin nga pas me nga shtatë gola secili.
Mbape mban edhe rekordin e shpejtësisë në këtë turne, pasi është regjistruar duke vrapuar me 37.6 kilometra në orë, një shifër që në shumë rrugë do të ishte e mjaftueshme për të marrë një gjobë për tejkalim shpejtësie.
Një tjetër rekord i rëndësishëm i përket sulmuesit senegalez Pape Geje, i cili realizoi golin me goditjen më të fuqishme të Botërorit. Në sfidën ndaj Irakut, topi u drejtua në rrjetë me një shpejtësi prej 131.94 kilometrash në orë.
Belgu Timoti Kastanjë ka përshkuar distancën më të madhe në një ndeshje të vetme, plot 16.29 kilometra. Ndërkohë, bashkëkombësi i tij Juri Tilemans kryeson renditjen për distancën totale të përshkuar gjatë kampionatit, me 61.8 kilometra, duke u shndërruar në "maratonomakun" e këtij Botërori.
Deri tani janë shënuar gjithsej 280 gola, me një mesatare prej 2.92 golash për ndeshje. Lionel Mesi ka arritur në kuotën e 21 golave në karrierën e tij në Kupat e Botës, ndërsa Kilian Mbape mban rekordin për më shumë gola të shënuar në fazën me eliminim direkt, me plot 11 realizime.
Edhe tribunat kanë qenë të mbushura, pavarësisht çmimeve të larta të biletave. Deri në këtë fazë të turneut, ndeshjet janë ndjekur nga rreth 6.26 milionë tifozë, me një mesatare prej më shumë se 65 mijë spektatorësh për sfidë.
Megjithatë, rekordi historik vazhdon t'i përkasë Kupës së Botës 1994 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku mesatarja ishte rreth 69 mijë tifozë për ndeshje.
Suksesi i këtij Botërori është reflektuar edhe në platformat digjitale. Në rrjetet sociale të FIFA-s janë regjistruar mbi 20 miliardë shikime të videove të publikuara gjatë turneut, një shifër rekord që tejkalon ndjeshëm çdo edicion të mëparshëm.
“KORÇA BOOM”













