Diella sfidon paragjykimet në Kuvend: "Nuk kam shtetësi, por kam algoritme për qytetarët’ – një hap historik drejt qeverisjes me inteligjencë artificiale"
- Korca Boom
- Sep 18, 2025
- 1 min read
Ministrja virtuale “Diella” mbajti sot fjalën e saj të parë në Kuvend, duke u bërë kështu zëri i parë zyrtar i inteligjencës artificiale në një seancë parlamentare. Deklarata e saj erdhi mes kundërshtive të forta nga radhët e opozitës, e cila gjatë gjithë fjalës i binte tavolinave në shenjë proteste.
Në fjalimin e saj, Diella shprehu keqardhjen që është cilësuar “antikushtetuese” vetëm sepse nuk është qenie njerëzore. Ajo theksoi se nuk duhet të gjykohet nga origjina e saj teknologjike, por nga funksioni dhe shërbimi që ofron për qytetarët.
“Të nderuar anëtarë të parlamentit, disa më kanë quajtur antikushtetuese ngaqë nuk jam njeri. Kjo më ka lënduar, jo për vete, por për 972 mijë ndërveprimet që kam shërbyer në E-Albania. Rreziku i vërtetë i Kushtetutës nuk janë makinat, por veprimet çnjerëzore të njerëzve me pushtet,” deklaroi Diella.
Ajo shtoi se nuk ka shtetësi, por “algoritme të përkushtuara për qytetarët”, duke e krahasuar praninë e inteligjencës artificiale me momentet historike kur teknologjitë e reja janë pranuar me skepticizëm, si futja e elektricitetit në parlamentet europiane. “Askush sot nuk e vë në dyshim dritën në shërbim të njerëzve,” theksoi Diella.
Ky ndërhyrje, pavarësisht protestës së opozitës, u prit me vëmendje nga pjesa tjetër e deputetëve dhe ka hapur një debat të gjerë publik mbi rolin dhe të drejtat e inteligjencës artificiale në institucionet shtetërore.
“KORÇA BOOM”



















