Edi Rama i prerë: S'ka dorëheqje, jam në mision
Kryeministri Edi Rama ka hedhur poshtë mundësinë e dorëheqjes nga posti i kryeminsitrit.
Sipas tij ai është në mision për të bërë Shqipërinë anëtare të BE dhe nëse e lë këtë post, nuk ka kush të vijë tjetër më mirë dhe se vendi do të shkojë pas.
Në reagimin e tij, Rama ka kujtuar edhe ngjarjet e 21 janarit 2011, duke bërë një krahasim me situatën aktuale dhe duke theksuar se, ndryshe nga ajo kohë, institucionet janë sulmuar dhe janë përdorur molotovë e mjete të forta kundër policisë.
Kreu i qeverisë i cilësoi kriminelë personat që qëllojnë me sende të forta drejt efektivëve të policisë, por shtoi se ata mbeten, sipas tij, “fëmijë të verbër të Shqipërisë”, jeta e të cilëve ka vlerë mbi gjithçka tjetër.
"Jam përpjekur të mos përfshihem dhe të ndjek e koordinoj me shumë durim një përpjekje për të mos rënë në kurthin e ngritur të dhunës që kërkon gjak. Unë e di historinë e këtij bulevardi, e njoh mirë, i kam ende të freskëta në kujtesë ato që ndodhën në 21 janar ku pati disa zjarre sporadike tek-tuk në këtë perimetër, jo një kazan, po ku nuk u prek në asgjë, asnjë institucion, ku nuk u hodh asnjë molotov, ku nuk u dëmtua dhe nuk u dogj askush nga forcat e rendit dhe kur u vranë me plumba 4 protestues dhe u plagosën dhjetëra të tjerë, që ndryshe nga sot nuk shkuan dot as në spital se i priste përsëri druri dhe u mjekuan në shtëpi. Përtej faktit që ata që qëllojnë me gurë, zare hekuri e vida për t’i nxjerrë sytë policisë janë kriminelë, e kam parasysh që ata janë fëmijë të verbër të Shqipërisë dhe jeta e tyre vlen më shumë se çdo gjë tjetër në fund të ditës. Vetëpërmbajtja është A dhe Zh e kësaj historie", tha Rama.
“KORÇA BOOM”
















