top of page

Euro “zhytet” nën 92 lekë, leku merr frenat/ Pse valuta po humbet terren

  • 1 day ago
  • 2 min read

Euro po humbet terren përballë lekut, duke u këmbyer aktualisht nën 92 lekë, nga 96.5 lekë që vlente në fillim të vitit.


Forcimi i monedhës shqiptare përkon edhe me muajt e pikut të sezonit turistik, periudhë gjatë së cilës rriten ndjeshëm hyrjet e valutës në ekonominë vendase.


Sipas Bankës së Shqipërisë, shtimi i prurjeve valutore është një nga faktorët kryesorë që ka ndikuar në ecurinë e kursit të këmbimit.


Turizmi, dërgesat e emigrantëve dhe investimet e huaja kanë sjellë më shumë valutë në vend gjatë korrikut dhe gushtit. Sipas të dhënave zyrtare, Shqipërinë e kanë vizituar mbi 7 milionë turistë të huaj.


Ekspertët e shpjegojnë ecurinë e kursit me raportin mes kërkesës dhe ofertës në treg. Kur sasia e valutës që hyn në ekonomi rritet, oferta më e lartë mund të ushtrojë presion mbi kursin e euros kundrejt lekut.


Por forcimi i lekut nuk prodhon të njëjtin efekt për të gjithë.

Një euro më e lirë favorizon konsumatorët dhe bizneset që varen nga importet. Produktet, lëndët e para dhe shërbimet e blera në euro kushtojnë më pak të shprehura në lekë, duke ndihmuar në uljen e kostove dhe frenimin e presioneve inflacioniste.


Situata është e ndryshme për eksportuesit dhe familjet që sigurojnë të ardhura në euro. Kur valuta evropiane këmbehet me më pak lekë, të ardhurat e tyre në euro kanë një vlerë më të ulët kur konvertohen në monedhën vendase.


Banka e Shqipërisë vijon të monitorojë zhvillimet në tregun valutor, ndërsa turizmi, remitancat dhe investimet e huaja mbeten ndër burimet kryesore të valutës që hyn në vend.


Ndërkohë, Banka e Shqipërisë ka shtuar gjatë këtij viti blerjet e euros në treg. Deri në fund të vitit, këto blerje parashikohet të arrijnë në 450 milionë euro.

“KORÇA BOOM”


bottom of page