Gjykata iraniane lë në fuqi dënimin me 74 g*ditje me kamzhik për këngëtaren që performoi pa hixhab
Gjykata e apelit në Iran ka lënë në fuqi dënimin me 74 goditje me kamzhik ndaj këngëtares Parastoo Ahmadi, e cila vitin e kaluar performoi pa hixhab në një koncert të transmetuar drejtpërdrejt në YouTube.
Avokatët e këngëtares kanë njoftuar se gjykata e hodhi poshtë apelimin dhe konfirmoi vendimin e mëparshëm, pa zhvilluar një seancë të re dëgjimore.
Performanca e 29-vjeçares u bë virale dhe mblodhi miliona shikime. Pas saj, autoritetet iraniane nisën procedurat ndaj këngëtares, duke e cilësuar performancën si në kundërshtim me rregulloret ligjore dhe kulturore të vendit.
Në qershor, Gjykata Penale e Komit e shpalli Ahmadi-n dhe tetë persona të tjerë fajtorë për vepra që përfshinin shkeljen e moralit publik dhe publikimin e materialeve të konsideruara të pahijshme.
Përveç 74 goditjeve me kamzhik, këngëtarja dhe të akuzuarit e tjerë u ndaluan për dy vjet nga aktivitetet audiovizuale dhe largimi nga Irani.
Një nga avokatëte saj tha për BBC-në se, sipas mbrojtjes, koncerti nuk përbënte vepër penale dhe se gjykata kishte mundësi të vendoste edhe sanksione më të lehta.
Vendimi ka shkaktuar reagime të shumta, ndërsa këngëtarja iraniane Googoosh ka shprehur shpresën që gratë në Iran të kenë sërish lirinë për të zgjedhur mënyrën se si jetojnë dhe vishen./TELEGRAFI
“KORÇA BOOM”
















