top of page

Hapat e parë drejt fitores, Pogradeci organizon edicionin e katërt të “Maratonës së Bebeve”

  • 4 hours ago
  • 1 min read

Garë, emocione dhe shumë buzëqeshje shënoi edicioni i katërt i “Maratonës së Bebeve” në Pogradec, një aktivitet tashmë i kthyer në traditë, i cili lindi si një nismë sportive në qytetin liqenor dhe rikthehet çdo vit për të sjellë momente të veçanta për fëmijët dhe familjet.


Protagonistë të kësaj gare simbolike ishin fëmijët e moshës 1 deri në 3 vjeç, të cilët, me hapat e tyre të parë, dhuruan spektakël për të pranishmit. Në aktivitet morën pjesë vogëlushë nga Pogradeci, por edhe fëmijë të familjeve pushuese që po kalojnë verën në qytetin liqenor.


Më shumë sesa një garë, “Maratona e Bebeve” synon të promovojë vlerat familjare, stilin e jetesës aktive dhe përfshirjen e fëmijëve në aktivitete sportive e argëtuese që në moshë të hershme.


Prindërit, të emocionuar dhe krenarë, ndoqën nga afër çdo hap të “kampionëve” të tyre të vegjël, duke krijuar një atmosferë plot dashuri, entuziazëm dhe duartrokitje.


Aktiviteti zhvillohet në kuadër të Maratonës Ndërkombëtare Enkelana, e cila këtë vit organizohet për të pestën herë në Pogradec, duke mbledhur sportistë nga 40 vende të ndryshme të botës dhe duke e shndërruar qytetin në një destinacion të rëndësishëm të sportit dhe turizmit gjatë sezonit veror./ Euronews

“KORÇA BOOM”


bottom of page